Aplikacion
Një i paraburgosur ka humbur jetën këtë të premte në ambientet e Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, ku ndodhej i shtruar në repartin e reanimacionit.
Sipas informacioneve, viktima është shtetasi Medat Spahiu, 91 vjeç, i cili ndërroi jetë rreth orës 14:10 të datës 3 prill 2026. Burimet bëjnë të ditur se shkak i vdekjes dyshohet të ketë qenë një emboli pulmonare.
I moshuari, banues në Xhafzotaj të Durrësit, ishte arrestuar më 14 mars 2026 nën akuzën për “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare, e mbetur në tentativë”. Pas ndalimit, ai ishte transferuar në IEVP Durrës, por për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore u mbajt nën kujdes mjekësor.
Fillimisht, ai mori trajtim në Spitali Rajonal Durrës, ndërsa më 19 mars u dërgua në Spitali “Shefqet Ndroqi”, ku u trajtua në pavijonin e pneumologjisë.
Pas disa ditësh, më 31 mars, ai u transferua në QSUT, por gjendja e tij vijoi të përkeqësohej.
Në mbrëmjen e 2 prillit, rreth orës 22:34, ai u shtrua me urgjencë në reanimacion, ku mjekët konstatuan disa probleme të rënda shëndetësore, përfshirë emboli pulmonare, hipertension, diabet dhe pasoja nga një goditje në tru, si edhe një frakturë në këmbën e majtë.
Pavarësisht ndërhyrjeve mjekësore, i moshuari nuk mundi të mbijetojë./ Zoom.al