Aplikacion
Autoritetet greke kanë goditur një rrjet të dyshuar kriminal të lidhur me vrasjen e bujshme të 55-vjeçarit Jorgos Moskouris, i njohur në botën e krimit me nofkën “Thamnakia”, i ekzekutuar në prill të vitit 2025 në zonën e Halandrit, në Athinë.
Pas një hetimi që ka zgjatur muaj të tërë dhe është drejtuar nga njësi të specializuara për krimet kundër jetës, policia ka vënë në pranga katër persona të dyshuar si pjesë e strukturës mbështetëse të atentatit. Mes tyre rezultojnë dy shtetas me origjinë shqiptare, të cilët dyshohet se kanë luajtur rol në logjistikën e operacionit kriminal.
Sipas dosjes hetimore, grupi i arrestuar nuk dyshohet si ekzekutues direkt i vrasjes, por si hallkë e rëndësishme që ka siguruar mjete, transport dhe mbështetje operative për autorët që kanë kryer ekzekutimin dhe janë larguar menjëherë nga territori grek pas ngjarjes.
Hetuesit grekë po ndjekin gjithashtu një pistë më të gjerë që lidhet me përplasjet brenda rrjeteve të krimit të organizuar për kontrollin e trafikut të duhanit dhe aktiviteteve të paligjshme në rajon. Në qendër të hetimeve ndodhet edhe një figurë e njohur e botës së krimit, e identifikuar nga autoritetet si një person me ndikim ndërkombëtar, i dyshuar për koordinim të urdhrave nga jashtë Greqisë.
Ndërkohë, policia nuk e konsideron ende të mbyllur dosjen. Përkundrazi, autorët kryesorë të atentatit mbeten në kërkim, ndërsa pista hetimore shtrihet drejt rrjeteve ndërkombëtare që veprojnë mes Europës dhe Lindjes së Mesme.
Ngjarja e 24 prillit 2025, kur Moskouris u qëllua me breshëri automatiku pranë një klinike private, vijon të konsiderohet nga autoritetet si një ekzekutim i planifikuar me profesionalizëm të lartë, tipik për përplasjet e grupeve të organizuara./ Zoom.al