Aplikacion
Një operacion i karabinierëve në Asti të Italisë ka çuar në sekuestrimin e 22 kilogramëve kokainë dhe një arsenali armësh të paligjshme, ndërsa në pranga ka rënë një 47-vjeçar shqiptar, i dyshuar si pjesë dhe drejtues i një rrjeti të organizuar trafiku droge.
Aksioni, i zhvilluar gjatë disa ditëve, u finalizua me kontrolle në disa ambiente në pronësi të të dyshuarit. Në banesën e tij në Via Vayra, hetuesit gjetën një sasi të vogël lënde narkotike dhe tre pistoleta, të shpërndara në apartament, garazh dhe automjet.
Kontrollet vijuan në një pronë të dytë në Via Pallio, ku u zbulua pjesa më e madhe e drogës, së bashku me dy armë të tjera. Sipas autoriteteve, kokaina ishte e paketuar me logo të markave të njohura dhe e ndarë sipas një sistemi të koduar për shpërndarje.
Në total, gjatë operacionit u sekuestruan 22 kg kokainë, e barasvlefshme me rreth 100 mijë doza në treg, me një vlerë që shkon deri në 5 milionë euro. Gjithashtu u gjetën pesë pistoleta të vjedhura, njëra me numër serial të fshirë, një silenciator artizanal, mbi 200 fishekë – përfshirë municione lufte – si dhe pajisje për peshimin dhe paketimin e drogës.
47-vjeçari shqiptar u arrestua dhe u dërgua në burgun e Alessandrias, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në rrjet.
Sipas karabinierëve, operacioni është rezultat i një pune të gjatë monitorimi në terren, ku janë evidentuar lëvizje të dyshimta dhe kontakte të shpeshta, që çuan në zbulimin e aktivitetit kriminal.