Aplikacion
Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, raportoi këtë të martë në Komisionin e Ligjeve për punën e institucionit gjatë vitit 2024, duke ngritur shqetësimin se presionet politike, mediatike dhe ato nga krimi i organizuar po rrezikojnë pavarësinë e prokurorëve dhe vijimësinë e hetimeve.
“SPAK përballet me presion të jashtëm nga aktorë politikë, mediatikë dhe nga krimi i organizuar, që mund të cenojnë integritetin institucional dhe të prokurorëve. Kërkohet një reagim i koordinuar institucional për mbrojtjen e pavarësisë kushtetuese”, deklaroi Dumani.
Gjatë raportimit, ai propozoi që prokurorët e SPAK të kenë të drejtën e rikandidimit pas përfundimit të mandatit 9-vjeçar, për të siguruar vijueshmërinë e çështjeve të rëndësishme në hetim.
Sipas kreut të SPAK, gjatë vitit të kaluar janë identifikuar 16 grupe kriminale shqiptare, që veprojnë si brenda vendit ashtu edhe në disa shtete të Bashkimit Europian, ndërsa 10 prej tyre janë goditur dhe provuar në gjykatë.
“Këto grupe janë aktive në Shqipëri, në qarqe si Tiranë, Durrës, Shkodër, Lezhë, Vlorë, Elbasan dhe Kukës, dhe kanë bashkëpunëtorë në Itali, Spanjë, Belgjikë, Holandë, Gjermani dhe Norvegji. Ato merren me trafik droge, trafikim të qenieve njerëzore dhe krim kibernetik, duke përdorur komunikime të koduara dhe struktura të organizuara hierarkikisht”, theksoi Dumani.
Sipas tij, një pjesë e konsiderueshme e kokainës që hyn në tregun europian sigurohet nga rrjete shqiptare që furnizohen në Amerikën Latine. Ai paralajmëroi se rreziku i përfshirjes së elementëve shqiptarë në rrjetet ndërkombëtare mbetet i lartë, dhe kërkoi bashkëpunim më të ngushtë me institucionet ligjzbatuese të BE-së./ Zoom.al