Aplikacion
Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka vendosur në mbledhjen e datës 17 shtator të hapë zyrtarisht garën për përzgjedhjen e drejtuesit të ri të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), meqenëse mandati i kreut aktual, Altin Dumani, përfundon më 18 dhjetor 2025.
Pas diskutimeve mes anëtarëve të Këshillit, u vendos që afati për aplikim të jetë deri më 8 tetor, duke i dhënë kandidatëve 3 javë kohë për dorëzimin e dokumentacionit të nevojshëm.
Gjatë mbledhjes, Sokol Stojani, kryetar i Komisionit të Karrierës, propozoi një afat dyjavor për aplikim, ndërsa Vate Staka, anëtar i KLP-së, kërkoi që afati të zgjatej në tre javë. Pas debatit, u miratua zgjidhja e dytë.
Kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani, deklaroi: “KLP vendosi të shpallë fillimin e procedurave të ngritjes në detyrë për zgjedhjen e drejtuesit të SPAK. Njoftimi për vendin vakant dhe kriteret për kandidatët do të publikohen menjëherë në faqen zyrtare të Këshillit. Afati për dorëzimin e aplikimeve është deri më datën 8 tetor 2025, siç u miratua nga këshilli.”
Të drejtën për të kandiduar e kanë të gjithë prokurorët e SPAK, me përjashtim të Altin Dumanit dhe Arben Krajës, të cilët e kanë mbajtur këtë post.
Prokurorët e Posaçëm që mund të kandidojnë për kreun e ri të SPAK:
1-Adnan Xholi
2-Anita Jella
3-Alfred Shehu
4-Behar Dibra
5-Bledar Maksuti
6-Doloreza Musabelliu
7-Dorina Bejko
8-Dritan Prençi
9-Edvin Kondili
10-Elida Kaçkini
11-Elvin Gokaj
12-Ened Nakuçi
13-Enkeleda Millonai
14-Klodjan Braho
15-Manjola Kajana
16-Ols Dado
17-Sotir Kllapi
18-Vladimir Mara