Aplikacion
Pas akuzave të rënda nga ish-punonjësit e restorantit legjendar Noma, shefi me origjinë shqiptare René Rexhepi ka reaguar publikisht, duke kërkuar falje për sjelljen e tij në të kaluarën.
Reagimi vjen pasi The New York Times publikoi një artikull të bazuar në intervista me 35 ish-punonjës të restorantit, të cilët përshkruan një model sjelljeje të dhunshme dhe poshtëruese ndaj stafit gjatë viteve të punës në Noma.
Pas publikimit të akuzave, Rexhepi reagoi përmes një postimi në Instagram, ku kërkoi falje për sjelljen e tij në të kaluarën.
“Edhe pse nuk i njoh të gjitha detajet e këtyre historive, shoh mjaftueshëm nga sjellja ime e së kaluarës për të kuptuar se veprimet e mia kanë qenë të dëmshme për njerëzit që kanë punuar me mua,” shkroi ai.
Ai shtoi se u kërkon falje të gjithë atyre që kanë vuajtur nga mënyra se si ai ka drejtuar kuzhinën.
“Për ata që kanë vuajtur nën drejtimin tim, gjykimin tim të gabuar apo zemërimin tim, më vjen thellësisht keq dhe kam punuar për të ndryshuar.”
Rexhepi shpjegoi gjithashtu se kur filloi karrierën në kuzhinë, të bërtiturat, poshtërimi dhe frika konsideroheshin pjesë normale e kulturës së punës në shumë restorante. Ai shtoi se në atë kohë nuk arrinte të përballonte presionin dhe gabimet e vogla i dukeshin shumë të mëdha.
Në një artikull të publikuar nga The New York Times të shtunën, më 7 mars, ish-punonjës të restorantit Noma – një restorant shumë i vlerësuar në Kopenhagë që dikur mbante titullin e restorantit më të mirë në botë para se të mbyllej në vitin 2023 – pretendojnë se shefi me origjinë shqiptare, René Rexhepi (Redzepi, siç citohet në mediat ndërkombëtare), i ndëshkonte fizikisht dhe abuzonte verbalisht.
Një shefe kuzhine, e identifikuar vetëm si Alessia, tha për The New York Times se “të shkoje në punë ishte si të shkoje në luftë”.
“Duhej ta detyroje veten të ishe e fortë, të mos shfaqje frikë,” tha ajo.
Artikulli përshkruan një incident në shkurt të vitit 2014 në të cilin Rexhepi, 48 vjeç, dyshohet se urdhëroi të gjithë stafin e kuzhinës ta ndiqte jashtë restorantit dhe të mblidheshin përpara se të qortonte një ndihmës shef kuzhine që kishte vendosur një muzikë të cilin ai nuk e pëlqente.
Sipas raportimit, Rexhepi e goditi punonjësin me grusht në brinjë dhe bërtiti se askush nuk do të lejohej të hynte brenda ndërtesës derisa ndihmës-shefi të thoshte me zë të lartë, para të gjithëve, se i pëlqente t’u bënte seks oral DJ-ve – një referencë poshtëruese ndaj muzikës në kuzhinë. Punonjësi përfundimisht u bind dhe stafi u kthye brenda.
Edhe pse akuzat janë bërë kundër Rexhepit për vite me radhë, sipas Times, Jason Ignacio White, një ish-drejtues i laboratorit të fermentimit të Noma-s, publikoi postime në Instagram muajin e kaluar duke deklaruar se ai ishte dëshmitar i rasteve të panumërta të abuzimit në restorant gjatë tri viteve që punoi atje.
New York Times tha se kishte intervistuar 35 ish-punonjës të Noma-s, të cilët përshkruan incidente të ndodhura mes viteve 2009 dhe 2017. Sipas tyre, Rexhepi dyshohet se kishte goditur punonjës në fytyrë, i kishte shtyrë me vegla kuzhine, i kishte përplasur në mure dhe i kishte abuzuar psikologjikisht përmes frikësimit, komenteve për trupin dhe talljeve publike.
Sot organizata Noma është përqendruar në shitjen e produkteve luksoze për kuzhinë dhe në organizimin e përvojave gastronomike, përfshirë një event të ardhshëm në Los Angeles, ku thuhet se një darkë do të kushtojë rreth 1500 dollarë për person.
Eventi i ardhshëm ka rikthyer debatet për mënyrën se si drejtohej restoranti, ndërsa disa ish-punonjës thonë se Rexhepi duhet t’u kërkojë falje.
Noma u konsiderua për vite një nga restorantet më të mira në botë. I vendosur në Kopenhagë, Danimarkë, restoranti u bë i famshëm për risitë në kuzhinën nordike dhe u rendit pesë herë si restoranti më i mirë në botë nga The World’s 50 Best Restaurants: në vitet 2010, 2011, 2012, 2014 dhe 2021.
René Rexhepi është me origjinë shqiptare. Babai i tij është shqiptar nga Maqedonia e Veriut, ndërsa nëna daneze.