Aplikacion
“Një pasuri që sot është e sekuestruar në emër të Biserë Hatos ia ka falur im bir Eljo Hatos, me pëlqimin tim. Falja e banesës është bërë vetëm sepse Eljo Hato, djali i Biseres, i ka shpëtuar jetën Visit”, dëshmoi sot në GJKKO Mustafa Martinaj, babai i të shumëkërkuarit Ervis Martinaj, fati i të cilit mbetet ende mister.
Me këtë dëshmi, Mustafa Martinaj riktheu edhe njëherë në vëmendje ngjarjen kriminale që tronditi Tiranën në tetor të vitit 2018, ku grupi i Ervis Martinajt u përplas me armë me grupin e Ervin Matës, në zonën e ish-Bllokut.
Sipas Mustafa Martinajt, prona që sot rezulton e sekuestruar në emër të nënës së Eljo Hatos ishte dhënë me vullnetin e familjes, për shkak të rolit që Hato kishte pasur në shpëtimin e Ervis Martinajt gjatë konfliktit të armatosur.
Ngjarja e 4 tetorit 2018 nisi fillimisht si një debat mes dy grupeve dhe degradoi në përdorim armësh brenda një prej lokaleve më të njohura të zonës së ish-Bllokut.
Nga të shtënat mbeti i vrarë Fabjol Gaxha, ndërsa u plagosën Ervis Martinaj dhe Eljo Hato.
Sipas versioneve të bëra publike ndër vite, Hato dyshohet se ndërhyri për të mbrojtur Martinajn në momentin e shkëmbimit të zjarrit, duke i krijuar mundësi këtij të fundit të largohej i plagosur nga lokali. Vetë Hato mbeti i plagosur rëndë gjatë përplasjes.
Eljo Hato, i njohur edhe me emrin Esmeraldo Hato, ka qenë i përfshirë edhe në disa çështje të tjera kriminale. Emri i tij është përmendur edhe për atentantin e dështuar ndaj Taulant Pepajt në Shkodër.
Më 12 maj të vitit 2014, Hato, asokohe 24 vjeç nën efektin e alkoolit ka vrarë një moshatarin e tij, Indrit Yllin e tij pas një sherri banal. Policia sqaroi asokohe se autori dhe viktima, bashkë me të plagosurin ndodheshin së bashku në një lokal dhe pas një debati banal, Hato ka nxjerrë armë e tij dhe ka qëlluar në drejtim të Indrit Hyllit .
Por vetëm një vit më pas, në 2015-ën pasi ndodhej në burgun e Shën-Kollit, Eljo Hato, u akuzua se porositi vrasjen e mjekut radiolog të spitalit të Shkodrës, Agron Terolli. Hato kishte “pajtuar” një 21-vjeçar i cili do të kryente vrasjen, por fatmirësisht policia, falë të dhënave në rrugë operative, arriti ta parandalonte ngjarjen e rëndë.
Më vonë, ai është hetuar edhe për përfshirje në ngjarje të tjera kriminale, përfshirë dyshime për atentate dhe komunikime të zbuluara në platformat e koduara Sky ECC dhe EncroChat. Aktualisht, Hato rezulton në kërkim ndërkombëtar./ Zoom.al