Aplikacion
Detaje të reja janë zbardhur nga arrestimi i efektivit të Policisë së Sarandës, Edmond Ruçi, i cili u vu në pranga nga agjentët e AMP nën dyshimet për korrupsion.
Sipas informacioneve paraprake, oficeri dyshohet se kishte siguruar materiale përgjimi për dy vëllezër të dyshuar për aktivitete kriminale. Më pas, ai pretendohet se ka kontaktuar nënën e tyre, duke i kërkuar para në këmbim të mbylljes së çështjes dhe shmangies së arrestimit të djemve të saj.
Pas takimit me efektivin, gruaja ka komunikuar me djemtë për t’u treguar bisedën e zhvilluar, ndërsa këto komunikime janë regjistruar nga organet hetimore.
Sipas burimeve, gjatë dorëzimit të materialeve në Prokurori, Edmond Ruçi ka përfshirë pa dashje edhe përgjimet që e implikonin vetë në këtë rast. Pikërisht këto prova çuan në zbardhjen e ngjarjes dhe më pas në urdhrin për arrestimin e tij.
Ndërkohë, hetimet kanë përfshirë edhe drejtues të tjerë të Policisë në Sarandë. Nën dyshimet për korrupsion dhe shpërdorim detyre u arrestuan Shefi i Komisariatit, Gëzim Bashllari, si dhe oficeri Robert Cullaj. Ndaj tyre gjykata caktoi masën “arrest me burg” për 30 ditë.
Ndërsa për dy oficerët e tjerë Ajdin Islamaj dhe Andi Duro u vendos masa “arrest në shtëpi”.
Sipas hetimeve, zyrtarët e policisë dyshohen se kanë marrë ryshfet për të toleruar ndërtime pa leje, përfshirë edhe beach barin “Copacabana” në Sarandë./ Zoom.al