zoom

Aktualitet

Hetimi për drogë çoi në pranga oficerin e policisë gjyqësore në Sarandë

Hetimi për drogë çoi në pranga oficerin e policisë gjyqësore në Sarandë

Prokuroria e Sarandës ka zbardhur detaje lidhur me ndalimin e oficerit të policisë gjyqësore Edmond Ruçi, i cili dyshohet për përfshirje në veprimtari korruptive gjatë hetimit të një çështjeje droge.

Sipas organit të akuzës, hetimi nisi më 19 maj 2026, pas arrestimit në flagrancë të shtetasve Adriel Zanaj dhe Keivin Duro, të cilëve iu gjetën në automjet 24 doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.

Gjatë hetimeve për procedimin penal të regjistruar për veprën “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, Prokuroria thotë se lindën dyshime për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme të vetë oficerit të policisë gjyqësore që po merrej me çështjen, shtetasit Edmond Ruçi.

“Gjatë hetimit të këtij rasti, lindën dyshime për përfshirje në veprimtari të kundraligjshme nga oficeri i policisë gjyqësore, që po hetonte rastin në fjalë, shtetasi E.R.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas organit të akuzës, pas kryerjes së veprimeve hetimore janë siguruar të dhëna që implikojnë oficerin në veprime të dyshuara korruptive. Për këtë arsye, ndaj tij është lëshuar urdhër ndalimi për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Oficeri i policisë gjyqësore u ndalua nga shërbimet e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), ndërsa hetimet për çështjen vijojnë.

Postime të lidhura