Aplikacion
Erion Alibej ka vijuar dëshminë e fortë për dosjen “Plumbi i artë” ditën e sotme në GJKKO, si bashkëpunëtor i SPAK në zbërthimin e një serie ngjarjesh kriminale dhe trafiku të drogës.
Ai rrëfeu edhe njohjet e hershme që në fëmijëri me Suel Çelën dhe Hajdar Çopjan, që gjithashtu edhe i vëllai i tij i ndjerë, Endriti, i kishte shumë miq, teksa zbuloi edhe konfliktet për çështje droge jashtë vendit, nga Holanda në Itali dhe më gjerë.
Alibej tregoi se Suel Çela i kishte vjedhur në Itali Hajdar Çopjas 2 kg kokainë, kurse ky i fundit i detyrohej gjysmë kg drogë borxh Arjan Spahiut.
Alibeaj dëshmoi edhe se si e ndihmoi Suel Çelën që të arratisej nga arresti shtëpiak në Itali, pas arrestimit për drogë.
Ai tha se:
“Kam pasur shoqëri me Suel Çelën, Hajdar Çopjan e njihja familjarisht, Elbasani është i vogël, njihemi që fëmijë. Ne s’kemi pasur probleme apo t’i kemi hyrë në hak dikujt, vetem se na kanë pasur borxh. Endriti kishte bazë edhe në Angli, unë kisha shumë kohë pa folur dhe takuar Suel Çelën për shkak të një hatërmbetjeje në lidhje me Arjan Spahiun, për trafikun e drogës. Një ditë më tha Endriti po vjen tek shtëpia Sueli me Sokol Sanxhaktarin, unë nuk doja t’i takoja, Sueli e filloi hershëm trafikun në Itali, ku dhe u arrestua, në Itali Sueli i vodhi Hajdar Çopjas 2 kg kokainë, Sueli shoqërohej me Klodian Çopjan, që Hajdari e kishte kushëri të dytë. E ndihmova Suelin pas arrestimit, kur ishte në arrest shtëpie, shkoi Arjan Spahiu e mori, hyri nga Franca dhe e nxori, Sueli i kishte borxh Arjanit për gjysmë kile kokaine, hyra unë garant për këtë gjë që mos të ziheshin”.
Gjithashtu ai ka dhënë detaje me rëndësi hetimore sipas SPAK, edhe për aktivitetin kriminal në trafikun e drogës në Europë nga vëllezërit Çopja.
Alibej tha se Hajdar Çopja bënte trafik me “kuaj droge” nga Gjermania për në Angli dhe më gjerë, kurse i vëllai, Franci, ishte vendosur në Totenham, nga drejtonte të gjithë biznesin me telefon. Alibej rrëfeu vështirësitë e para, emigrimin në Angli te xhaxhai, Arben Dylgjeri, punën me drogë për të larë borxhin e vëllait, Endritit, ngritjen e punës dhe aktiviteti që bënin vëllezërit Çopja.
“Kur erdhi Sueli tek shtëpia me Sokol Sanxhaktarin, më tha Endriti do i takojmë se janë për një cilësi droge, e takova ftohtë Suelin. Këmbëngula të ikja në Angli për të punuar, sepse Endriti kishte borxhe dhe doja ta ndihmoja t’i lante, shkova me kamion, në fillim ndenja tek xhaxhai Arben Dylgjeri, se kishte idenë ça pune do bëja, kisha mundësi të furnizohesha dhe shitja kokainë, por hasa vështirësi për shtëpi, Hajdar Çopja bënte transport me kuaj rruge shumë të sigurt, nga Gjermania bëhej nisja, deri në Belgjikë e Holandë”, ka vijuar rrëfimin bashkëpunëtori i drejtësisë.