zoom

Kosova

Dëshmi rrëqethëse e gruas që u p*rdhunua nga serbët: Po pastroja, dy u futën brenda

Një nga gratë e dhunuara në Kosovë nga forcat serbe rrëfeu historinë rrëqethëse të jetës së saj.

Shpresa (emër redaksional) tregoi në emisionin “Në shënjestër”, ku u trajtuan krimet serbe, se ditën kur ajo është dhunuara seksualisht, po punonte si çdo ditë në lokal.

Ajo kujtoi se serbët ishin në grup dhe disa prej tyre “mësynë” brenda, duke e përdhunuar, ndërsa ndihmë ishte e kotë të kërkonte.

“Për të rrëfyer jetën time është tmerr. Gjurma më e madhe e asaj që më ka ndodhur në luftë është që ajo nuk harrohet kurrë. Unë kam qenë në një lokal aty, pastroja… Ka hyrë policia. Dy kanë ndenjur jashtë, dy kanë hyrë dhe kanë bërë atë çfarë nuk i bëhet një njeriu, një femre. Kam bërtitur po s’ka pasur ndihmë aty. Ata i kanë nxjerrë jashtë dhe i kanë rrahur dhe ata që kanë qenë aty. Çfarë s’kanë bërë aty. Shumica e grave kur vijnë në organizatë thonë se i kanë lutur dhunuesit që t’i vrasin. Shumica e tyre thonë që vdekja ka qenë zgjidhja e vetme. Por ata nuk i kanë vrarë me qëllim që kjo plagë e luftës të mos mundet të ndikojë vetëm te viktima si person, por edhe gjeneratat ndër breza”, tha Shpresa.

Ajo tregoi më tej se ato momente e përndjekin ende edhe sot, ku shpeshherë sheh makthe dhe zgjohet e trembur gjatë natës.

“Më kap kur fle më së shumti, çohem edhe trembem, qaj. Më kujtohet më së shumti natën. Dhe kur dal në qytet që shoh policë dhe ata më trembin se më duken si paramilitarë serbë. Si një paranojë. Natën, çohem dhe djali ka raste që më thotë: ‘Çfarë ke, pse çohesh kështu’”, shtoi Shpresa.