zoom

Kosova

Del para gjykatës 36-vjeçari që vrau ish-gruan, e goditi disa herë me armë në kokë. Dosja e plotë

I dyshuari për vrasjen e ish-gruas 21-vjeçare dhe plagosjes së vëllait të saj dje në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, Valon Aliu, është dërguar në Gjykatën Themelore të Ferizajt, ku i është dhënë masa me burgim paraprak ditor sipas procedurës penale, në pritje të ekspertizës.

Prokuroria tashmë ka kërkuar masën e paraburgimit për 30 ditë. 21-vjeçarja me inicialet E.C, është vrarë në objektin e Qendrës për Punë Sociale. I dyshuar për vrasjen është ish-bashkëshorti i saj 36-vjeçar.

Detaje rreth rastit ka dhënë edhe Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu. Sipas Aliut, viktima dhe vrasësi i dyshuar po merrnin shërbime pranë Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, derisa vrasësi i dyshuar ka shtënë mbi viktimën dhe vëllain e saj si dhe ka kërcënuar me armë edhe punonjësen e këtij institucioni.

Në seancën e sotme, prokurori i Ferizajt, Valdet Avdiu, paraqiti dyshimet që janë ngritur për ngjarjen tragjike që ndodhi më 12.04.2024. Ai tha se ngjarja ka ndodhur në zyrën e njërës prej punëtoreve sociale në QPS Ferizaj.

Prokurori Avdiu tha se ndaj Valon Aliut ekziston dyshimi se me dashje ka privuar nga jeta të ndjerën E.C, me të cilën ka bashkëjetuar, duke e goditur me armë disa herë në kokë dhe duke plagosur në krah vëllain e të ndjerës. Arma që u përdor në rast sipas prokurorit ishte pistoletë e tipit Zoraki m2906-T, me kalibër 9 milimetër.

Arma është sekuestruar bashkë me një karikator të zbrazët. Në kallëzimin penal kundër të pandehurit Valon Aliu, ai po dyshohet për veprat penale – vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Sipas kallëzimit penal, që raportohet nga “Kallxo.com”, dëshmitare në këtë rast ka qenë punëtorja sociale Qëndresa Zymeri, e cila pos tjerash ka deklaruar se më 12.04.2024, rreth orës 14:40, në zyrën e saj në QPS, i pandehuri ka shtënë me armë disa herë në drejtim të të ndjerës, si dhe në drejtim të të dëmtuarit, vëllait të viktimës.

Edhe i dyshuari, në deklaratën e tij në polici ka thënë se brenda në zyre është takuar me të ndjerën, vëllain e saj dhe punëtoren e QPS-së. Sipas tij, aty ka filluar fjalosja dhe në një moment ka nxjerrë armën dhe fillimisht ka shtënë në drejtim të të ndjerës apo vëllait të saj pastaj sërish ka shtënë dy apo tri herë në drejtim të të ndjerës E.C., dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Kurse sa i përket armës, të njëjtën e ka blerë në Ferizaj nga një klient dhe nuk ka pasur leje për armë. /ZOOM.AL/