Aplikacion
Ministri i Punëve të Brendshme në detyrë i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se Serbia ka angazhuar shtetas të Kosovës në institucionet e saj të sigurisë dhe inteligjencës, veprim që ai e ka cilësuar si shkelje të ligjeve të Kosovës dhe cenim të sigurisë kombëtare.
Në një postim në Facebook, Sveçla theksoi se këto veprime janë pjesë e përpjekjeve sistematike të Serbisë për destabilizimin e brendshëm të Republikës së Kosovës.
“Duke pasur parasysh qëllimet agresive të Serbisë ndaj Kosovës, adresimi institucional i rasteve të tilla është jo vetëm një çështje e rendit ligjor, por edhe një domosdoshmëri për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe sovranitetit shtetëror”, shkroi ai.
Në këtë kuadër, ministri Sveçla bëri të ditur se ka marrë vendim për privimin nga shtetësia e Republikës së Kosovës për shtetasin Nikola Vujović, i cili rezulton të jetë pjesëtar i forcave policore të Serbisë, duke rrezikuar kështu sigurinë kombëtare të vendit.
“Kosova është vendi i gjithë shtetasve tanë dhe nuk do të tolerohet që asnjëri të bëhet instrument i minimit të shtetësisë së saj. Institucionet tona mbesin të përkushtuara për ruajtjen e rendit dhe sigurisë”, shtoi Sveçla./ Zoom.al