zoom

Ekonomi

“Coca-Cola” serbe mbyt tregun shqiptar. Pse gjiganti i pijeve po importon nga Beogradi kur fabrika është në Tiranë?

“Coca-Cola” serbe mbyt tregun shqiptar. Pse gjiganti i pijeve po importon nga Beogradi kur fabrika është në Tiranë?

Nëse ulesh sot në një restorant në Shqipëri, apo nëse blen një shishe Coca-Cola në marketin e lagjes, ka shumë mundësi që produkti që po konsumon të mos jetë prodhuar në fabrikën e Kasharit në Tiranë, por të ketë udhëtuar qindra kilometra nga Batajnica e Beogradit.

Nga Zoom.al 

Një vëzhgim i etiketave të shisheve të formatit 1.5 Litër dhe jo vetëm, që qarkullojnë masivisht në tregun tonë, zbulon një realitet paradoksial. Në të shkruhet se produkti është “Prodhuar nga Coca-Cola HBC – Serbi d.o.o., BeogradImportues për Shqipërinë: Coca-Cola Bottling Shqipëria sh.p.k”.

Ky fakt ngre disa pikëpyetje, kryesisht të karakterit ekonomik. Pse një kompani që zotëron një nga fabrikat më të hershmenë vend, zgjedh të kthehet pjesërisht në një agjenci importi nga Serbia? Përgjigjja mund të gjendet te strategjitë financiare të korporatave multinacionale, ku interesi i fitimit mbyt interesin lokal.

Për të kuptuar këtë lëvizje, duhet parë se si operon sistemi Coca-Cola Hellenic Bottling Company (HBC) në Ballkan. Serbia, përmes fabrikës në Beograd, shërben si një megastrukturë prodhuese rajonale.

Në terma ekonomikë, kjo lidhet direkt me koston për njësi. Kur një fabrikë prodhon miliona hektolitra për disa shtete njëkohësisht, si Serbi, Mal të Zi, Bosnjë, Shqipëri etj., kostoja e lëndës së parë, ambalazhimit dhe energjisë për çdo shishe ulet në nivele minimale.

Në të kundërt, mbajtja e linjave aktive në Tiranë për të gjitha formatet 0.33L, 0.5L, 1.5L, 2L, kërkon kosto të larta operative, ndryshime të shpeshta të makinerive dhe investime të vazhdueshme në teknologji për një treg relativisht të vogël si ky shqiptar. Prandaj, korporata aplikon një strategji ku Shqipëria sakrifikohet si prodhues dhe kthehet në treg konsumi, duke maksimizuar fitimet e brendshme të grupit multinacional.

Goditje ndaj ekonomisë vendase, çfarë humb Shqipëria?

Ndonëse për kompaninë ky është një optimizim logjistik, për ekonominë shqiptare ky model sjell pasoja negative zinxhire. “Së pari kjo ndikon në deficitin tregtar. Shqipëria vuan historikisht nga një deficit i thellë tregtar me Serbinë. Importimi i një produkti kaq masiv, të cilin kemi kapacitet ta prodhojmë vetë, rrit artificialisht eksportet serbe drejt nesh dhe dëmton bilancin tonë kombëtar të pagesave” – shpjegon një ekspert i ekonomisë për Zoom.al 

Së dyti, kur pija prodhohet në Kashar, paratë e konsumatorit shqiptar shkojnë për pagat e punëtorëve shqiptarë, blerjen e ujit, karbonit, plastikës lokale dhe shërbimeve ndihmëse. Kur produkti vjen i gatshëm nga Beogradi, e gjithë kjo vlerë e shtuar mbetet në Serbi. Shqipërisë i mbetet vetëm një marzh i vogël tregtar, si shpërndarja dhe logjistika.

Së treti, një fabrikë që kthehet gradualisht në një depo qendrore importi humb nevojën për krah pune të kualifikuar, si teknikë linje, inxhinierë kimikë, kontrollorë cilësie etj. Ky model favorizon vetëm sektorin e shërbimeve si shoferë apo magazinierë, duke zbehur rolin e Shqipërisë si një vend industrial.

Ajo që e bën edhe më shqetësues këtë fenomen për konsumatorin është çmimi. Edhe pse kostoja e prodhimit në Serbi është më e ulët dhe produkti vjen nga një treg me kosto rajonale, në Shqipëri Coca-Cola shitet me çmim “Premium”, njësoj sikur të mbartte të gjitha kostot e larta të prodhimit lokal.

Me fjalë të tjera, diferenca e madhe e kostos së prodhimit mes Beogradit dhe Tiranës nuk përkthehet në një çmim më të lirë për qytetarët shqiptarë, por shkon si përfitim i pastër në bilancet e korporatës.

Përtej pijeve, alarm për varësi edhe nga drithërat serbë

Nëse rasti i pijeve tregon një strategji të pastër korporative për maksimizim fitimi, pozicioni i Serbisë në tregun tonë të ushqimeve bazë përbën një problem të mirëfilltë të sigurisë kombëtare dhe ushqimore. Të dhënat zyrtare të tregtisë së jashtme tregojnë se Shqipëria ka krijuar një varësi kritike nga fushat e Vojvodinës për artikujt e shportës bazë, sigrurin, miellin dhe misrin.

Sipas operatorëve të kësaj industrie, Serbia renditet historikisht ndër furnizuesit kryesorë të drithërave në Shqipëri. Ky dominim ka ardhur përmes një politike agresive të çmimeve të ulëta, me të cilat prodhuesit shqiptarë të grurit dhe fabrikave lokale të miellit e kanë pasur të pamundur të konkurrojnë.

Për vite me radhë, tregu shqiptar është përballur me “dopingun” e miellit serb. Shoqatat vendase të prodhimit të miellit kanë ngritur shpesh alarmin se nga Serbia ka hyrë miell me nivel të ulët proteinash, shpesh në kufijtë e 9-10.5%, që në terma teknikë konsiderohet miell për industri biskotash ose për ushqim kafshësh, i cili është shitur në tregun tonë nën kosto për prodhim buke.

Ky miell i lirë, i importuar masivisht, goditi direkt disa nga fabrikat shqiptare të miellit, duke i detyruar të punojnë me kapacitete të reduktuara, shpesh nën 40%. Edhe pse vitet e fundit rregulloret u shtrënguan duke kërkuar që importi të zhvendosej më shumë te lënda e parë, gruri në vend të miellit të gatshëm, Serbia mbetet sërish dominuese.

Misri dhe ushqimi për blegtorinë

Misri është një tjetër produkt ku Shqipëria dorëzohet përpara importit serb. Ai shërben si lëndë e parë kryesore për industrinë e rritjes së shpendëve dhe blegtorisë vendase. Duke mos pasur një mekanizim dhe subvencionim të fortë të bujqësisë lokale në zonat e Myzeqesë apo Maliqit, fermerët shqiptarë nuk prodhojnë dot me koston e fermave industriale serbe. Për pasojë, çdo kokërr misër që ushqen blegtorinë tonë vjen në pjesën dërmuese nga importi, duke e bërë edhe zinxhirin e mishit dhe qumështit “Made in Albania” të varur nga Beogradi.

Harta e importit, nga ushqimet te lëndët e para

Përveç drithërave dhe pijeve, dominimi i Serbisë në strukturën tonë të importeve rajonale shtrihet edhe në sektorë të tjerë strategjikë.

Vaji i lulediellit, një tjetër produkt kritik i shportës, importohet në sasi të mëdha.

Edhe industria e ndërtimit po ndikohet nga importet serbe. Shqipëria importon sasi të konsiderueshme të hekurit dhe lëndëve të tjera kimike nga fabrikat serbe.

Markat serbe të biskotave, konfeksioneve dhe produkteve të qumështit kanë zënë po ashtu hapësirë të gjerë në rrjetet e supermarketeve në vend.

Rreziku i një tregu ptimon dhe një këmbanë alarmi për politikat fiskale

Kur bashkon skenarin e Coca-Cola-s, ku një fabrikë vendase kthehet në depo logjistike, me varësinë nga drithërat, ku buka jonë e përditshme varet nga vullneti i bursës apo vendimet politike të Beogradit për bllokim eksportesh, siç ndodhi gjatë krizave të fundit, rezultati është i qartë. Shqipëria po zhvishet nga sovraniteti i saj ekonomik.

Për sa kohë që politikat tona fiskale dhe subvencionet në bujqësi dhe industri mbeten anemike krahasuar me ato të rajonit, tregu shqiptar do të mbytet nga produktet serbe. Konsumatori shqiptar do të vazhdojë të paguajë shtrenjtë, ndërsa vlera e shtuar dhe vendet e punës do të transferohen përtej kufirit.

Ky rast nxjerr në pah nevojën urgjente për një rishikim të politikave ekonomike në Shqipëri. Ndërkohë që prodhuesit vendas përballen me kosto të larta të energjisë, taksa lokale dhe barriera të ndryshme, tregu ynë po rezulton i pambrojtur ndaj flukseve që vijnë nga fqinjët. Tani, pas Coca-Cola drithërave apo qumëhstit, mbetet që edhe ujin si Lajthiza apo Qafshtama ta blejmë nga Mali i Zi apo Kosova.