Aplikacion
Prej disa ditësh platforma e-Albania po përballet me një bllokim teknik serioz, që ka sjellë pasoja për qytetarët brenda dhe jashtë Shqipërisë, si edhe për bizneset.
Në sistem nuk shfaqen data të lira për rezervime për shërbime si aplikime për pasaportë, shërbime konsullore dhe procedura të lidhura me Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), përfshirë regjistrime, ndryshime të të dhënave apo sigurimin e dokumenteve zyrtare për kompani.
Bllokimi i platformës e-Albania ka krijuar një zinxhir konfuzioni. Konsullatat informojnë se aplikimet për ripërtëritjen e pasaportave kryhen vetëm përmes e-Albania dhe nuk ekziston një rrugë alternative.
Nga ana tjetër, platforma e-Albania deklaron se oraret janë të mbushura ose se sistemi është i bllokuar dhe i referon qytetarët te Ministria e Jashtme. Ndërkohë, Ministria e Jashtme në Tiranë u kërkon qytetarëve të presin një “moment të dytë”, pa dhënë një afat konkret.
Vetë konsullatat kanë pranuar se sistemi është i ngrirë për shkak të një defekti teknik të paparashikuar, për të cilin nuk dihet se sa do të zgjasë.
Problemi kryesor nuk është vetëm defekti teknik, por mungesa e një plani alternativ. Kur platforma e vetme bie, i gjithë shteti online paralizohet.
Si pasojë, qytetarët nuk arrijnë të rinovojnë dokumentet personale, ndërsa bizneset nuk mund të kryejnë procedura ligjore bazë, duke u përballur me pasoja reale financiare dhe administrative.
Ky bllokim vjen në një moment delikat për sistemet digjitale shtetërore, pas incidenteve të mëparshme që kanë prekur infrastrukturën e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), e cila administron platformat kryesore elektronike të shtetit. Disa prej këtyre rasteve kanë qenë edhe objekt verifikimi nga SPAK-u./ DW