Aplikacion
Kryetari i PD-së Sali Berisha, në deklaratën për mediat sot në 24 prill tha se protesta e radhës e opozitës do të jetë më 8 maj.
“Protesta e radhës e opozitës do të jetë më datë 8 maj. Kjo qeveri di vetëm të vjedhë e të vjedhë ditë e natë e të bëjë punë mbrapsht. Kryeministri Edi Rama vetëm ka bllokuar drejtësinë dhe nuk po dënon korrupsionin galopant në qeveri. Vjedhjet e tmerrshme të qeveritarëve po shkatërrojnë vendin. 8 maji do të jetë dita e shqiptarëve, e protestës së tyre më të fuqishme, kam besim se do të jepet në këtë protestë revolta më e fuqishme ndaj këtij regjimi bandit dhe hajdut”, tha Berisha.
Foli për aferën e AKSHI-it, duke thënë se është historia më mafioze në historinë e një shteti.
“Afera e AKSHI-t rezulton se është historia më mafioze në historinë e një shteti. Edhe këtu strumbullari është çifti Rama, Edi dhe bashkëshortja e tij. Aty janë të përfshirë njerëz të afërt me kryeministrin. Përgëzoj të gjithë gazetarët investigativë, që kanë filluar të gjurmojnë për këtë histori. Ju jap gjithë kurajon time, që të vazhdoni të hetoni. Fituesit e tenderave i ka përcaktuar çifti Rama.
Edi Rama e paraqiti Lindën e AKSHI-t si të varfër, por në të vërtetë ajo jeton në një apartament të madh dhe luksoz. Kryeministri Rama tha se AKSHI është një sukses që shkëlqen, në mënyrë të rrejshme. U morën 75 milionë euro për AI dhe Inteligjenca Artificiale nuk ekziston. Arben Ahmetaj ka thënë se një nga biznesmenët ka thënë se ka shitur në Shqipëri kompjuterë, 10 herë më shtrenjtë sesa janë blerë në tregun me shumicë në Austri”, u shpreh Berisha.
E quajti Ramën një kameleon pa shtyllë kurrizore.
“Ky është një kameleon pa shtyllë kurrizore. Njëherë flet ndryshe dhe më pas ndryshe. Njëherë tha se Europa është maja e lirisë, ndërsa tani i jep mend kontinentit sesi të luftojë Rusinë apo vende të tjera. Kjo sepse do të shpëtojë lëkurën e tij. Rama është diktator autoritar, është armik i egër i opozitës”, tha Berisha.
Foli dhe për faktin se kur do të nisë PD-ja përzgjedhjen e kandidatëve për kryetarë bashkish.
“Shumë pyetje e mirë. Ka mendime të ndryshme në Partinë Demokratike. Ka debat gjithashtu në mënyrë pozitive. Po punojmë invensivisht për procesin e përgatitjes për zgjedhjet lokale. Po punojmë intensivisht paralelisht dhe me protestat dhe me aktivizmin tonë në parlament”, deklaroi Berisha.