Aplikacion
Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, ka deklaruar për herë të parë publikisht se i ka kërkuar liderit të Partisë Demokratike të dorëhiqej pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e 11 majit.
Në një intervistë për emisionin “Breaking” në Top News, Malltezi tha se edhe vetë Berisha kishte menduar të tërhiqej, por ndryshoi mendim kur dolën, sipas tij, faktet e manipulimeve zgjedhore.
“Fill pas zgjedhjeve i kam thënë vetë Berishës që nuk ja vlen më, sepse është lodhje… Ai vetë po e shihte. Shqiptarët nuk e duan këtë dhe duhet të japë dorëheqjen. Por më pas dolën faktet e vjedhjeve, të krimeve zgjedhore”, u shpreh Malltezi.
Ai shtoi se brenda PD ka zëra që kërkojnë lidership të ri, dhe e konsideroi këtë një shenjë të shëndetshme për demokracinë e brendshme në parti.
“Është pozitive që ka zëra të rinj, ndryshe nga partia tjetër që i shkarkon drejtorët me gisht dhe bën atentat ndaj Kushtetutës”, theksoi ai.
Malltezi akuzoi qeverinë për kapje politike të institucioneve dhe për “pengmarrjen” e PD-së përmes marrjes së logos, vulës dhe financave të partisë.