zoom

Ekonomi

Bastet sportive online, udhëzimi ndalon pagesat cash, do të kalojnë nga agjentët financiarë

Bastet sportive online, udhëzimi ndalon pagesat cash, do të kalojnë nga agjentët financiarë

Pagesat dhe tërheqjet në bastet sportive online do të kryhen vetëm përmes agjentëve financiarë të licencuar nga Banka e Shqipërisë, ndërsa organizatorëve u ndalohet pranimi apo kryerja e pagesave me para në dorë. Rregulli është pjesë e udhëzimit të ri të Ministrisë së Financave për procedurat dhe standardet e pagesave në kategorinë “Baste sportive online”.

Udhëzimi përcakton se çdo depozitë dhe tërheqje duhet të jetë e identifikueshme në mënyrë unike dhe e gjurmueshme në sistemet e organizatorit, të agjentit financiar dhe në Sistemin Qendror të Monitorimit Online. Fondet e lojtarëve do të mbahen në llogari të veçanta pranë agjentëve financiarë të licencuar, të cilët janë të autorizuar të ofrojnë shërbime bankare ose shërbime pagesash.

Organizatorët e basteve online duhet të verifikojnë identitetin e lojtarit përpara përdorimit të llogarisë së lojës dhe të sigurohen që mjeti i pagesës i përdorur për depozitim ose tërheqje i përket të njëjtit person. Në rast mospërputhjeje mes identitetit të lojtarit dhe mbajtësit të mjetit të pagesës, organizatori refuzon transaksionin dhe, kur është e nevojshme, kthen shumën te mjeti nga i cili ka ardhur.

Depozitimet pranohen vetëm nga mjete pagese në emër të lojtarit, si llogari pagese, kartë ose portofol elektronik. Sistemi i organizatorit duhet të refuzojë automatikisht çdo depozitim kur nga të dhënat e transmetuara nga agjenti financiar rezulton mospërputhje identiteti ose kur përdoret një mjet pagese i lëshuar në emër të një pale të tretë.

Tërheqjet do të kryhen në të njëjtën mënyrë si depozitimet, duke përdorur të njëjtin mjet pagese. Pagesat e fitimeve bëhen vetëm në llogarinë personale të lojtarit, në të njëjtën llogari pagese ku janë kryer depozitimet. Udhëzimi ndalon kreditimin e fitimeve në llogari të personave të tretë ose në mjete pagese që nuk i përkasin lojtarit.

Organizatorët duhet të identifikojnë transaksionet e pazakonta ose të paarsyeshme për nga shuma, shpeshtësia ose mënyra e pagesës dhe t’i trajtojnë ato sipas legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Rastet e dyshimta dokumentohen dhe raportohen pranë Agjencisë së Inteligjencës Financiare, ndërsa AMLF-ja njoftohet kur rasti lidhet me lojën, pagesat ose funksionimin e sistemit.

Udhëzimi vendos rregulla edhe për fondet promocionale. Promocionet nuk përbëjnë fonde reale të lojtarit dhe nuk mund të tërhiqen, përveçse kur lojtari plotëson kushtet e përcaktuara nga organizatori. Balanca e fondeve reale dhe ajo e fondeve promocionale duhet të mbahen të ndara deri në plotësimin e kushteve për përdorimin e tyre.

Organizatorët duhet të mbajnë një llogari të veçantë për fondet e lojtarëve dhe të kryejnë rakordim ditor midis gjendjes së kësaj llogarie, balancave të lojtarëve në sistem dhe transaksioneve në pritje. Gjendja në llogari duhet të jetë gjithmonë e barabartë ose më e madhe se shuma totale e balancave të lojtarëve plus transaksionet në pritje. Në rast mospërputhjeje negative, korrigjimi duhet të bëhet brenda ditës së nesërme, jo më vonë se ora 12:00, dhe AMLF-ja duhet të njoftohet brenda 24 orëve.

Organizatori duhet të sigurojë lidhje të vazhdueshme me Sistemin Qendror të Monitorimit Online dhe t’i japë AMLF-së akses të plotë në sistemet e tij për monitorimin në kohë reale të pagesave dhe tërheqjeve. Çdo ndryshim i rëndësishëm në sistemet teknologjike që lidhen me pranimin, përpunimin ose ekzekutimin e pagesave kërkon miratim paraprak nga AMLF-ja.

Çdo muaj, organizatori duhet t’i paraqesë AMLF-së një raport me shumat e luajtura, fitimet e paguara, depozitat dhe tërheqjet neto, të ardhurat bruto nga loja, numrin e lojtarëve aktivë, transaksionet me vlerë 1 milion lekë e sipër, si dhe gjendjen e fondeve të lojtarëve dhe llogarisë në fund të muajit.

Udhëzimi parashikon që ankesat e lojtarëve të regjistrohen dhe të trajtohen jo më vonë se 30 ditë kalendarike nga paraqitja e ankimit. Të gjitha të dhënat dhe evidencat e transaksioneve duhet të ruhen për një periudhë jo më pak se pesë vjet. Udhëzimi hyn në fuqi pas 15 ditësh.

Postime të lidhura