Aplikacion
Burimet financiare të pushtetit vendor arritën vitin e kaluar në 930 milionë euro, me zgjerim vjetor 4%. Raporti i Financave Vendore, që u hartua nga Co-Plan, tregoi se u rrit më tej varësia e të ardhurave ndaj taksës së ndikimit në infrastrukturë, që vilet ndaj ndërtimeve të reja. Kjo po rrit varësinë e bashkive ndaj lejeve të ndërtimit edhe në të ardhmen. Nga ana tjetër, shpenzimet po rriten me shpejtësi për personelin, teksa investimet shënuan rënie të mprehtë vitin e kaluar.
Bashkitë përfaqësojnë nivelin e qeverisjes më pranë qytetarëve, me ndikim potencial në identifikimin dhe zgjedhjen e nevojave të komuniteteve që përfaqësojnë.
Por me gjithë Reformën e re Territoriale, e cila transferoi një seri shërbimesh dhe financash tek vendorët, shërbimet ndaj komuniteteve janë përkeqësuar në disa raste, teksa administrimi financiar dhe buxhetimi janë bazuar te një model jo i qëndrueshëm zhvillimi.
Në vitin 2022, bashkitë në të gjithë vendin rritën më tej ekspozimin e të ardhurave buxhetore ndaj taksës së ndikimit në infrastrukturë që vilet ndaj ndërtimeve të reja. Në anën tjetër, shpenzimet ndaj personelit u rritën më tej dhe investimet kapitale u përkeqësuan.
Raporti i Financave Vendore që u hartua nga Co-Plan tregoi se gjatë vitit 2022, Bashkitë kanë pasur më shumë mjete financiare në dispozicion për të ushtruar funksionet dhe kompetencat.
Zgjerimi i burimeve financiare në dispozicion u shtri në të ardhurat nga burimet e veta vendore, të hyrat nga transfertat ndërqeveritare të pakushtëzuara dhe taksat e ndara.
Megjithatë, kontributi pozitiv i të ardhurave nga burimet e veta vendore është përcaktuar gjerësisht nga rritja e të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja mbledhur në Bashkinë e Tiranës.
Në terma strukturorë, varësia e buxheteve vendore nga transfertat ndërqeveritare vijon të jetë e lartë, nga një numër i kufizuar taksash dhe tarifash vendore të gjeneruara në një numër të kufizuar bashkish.
Treguesit e decentralizimit në kahun e shpenzimeve në vitin 2022 u ngadalësuan, ndonëse shpenzimet totale rezultojnë në rritje. Mbulimi i shpenzimeve korrente (për shpenzime personeli, operative dhe të tjera) vijon të përthithë burime në mënyrë të qenësishme (me fonde të veta dhe të kushtëzuara).
Komponenti i investimeve paraqet luhatshmëri të lartë pavavarësisht kontributit nga fondet për investime të kushtëzuara. Në të kundërt, investimet e kryera me fonde të veta të bashkive, ndonëse në rritje vjetore, shënuan vlera të ulëta në dy vitet e fundit.
Portofoli i burimeve financiare në dispozicion të bashkive u zgjerua në vitin 2022. Të hyrat në buxhetin vendor rezultojnë të jenë rritur për të ardhurat nga burimet e veta vendore (7%), të hyrat nga transferta të pakushtëzuara (6%) dhe të hyra nga taksat e ndara (12%).
Në të kundërt, të hyrat nga transfertat e kushtëzuara shënuan rënie vjetore me rreth 7%.
Roli i qeverisjes vendore, përkundrejt asaj të përgjithshme, u moderua. Në fund të vitit 2022, të ardhurat nga burimet e veta vendore ndaj PBB-së u vlerësuan në nivelin 1.5% dhe ndaj totalit të të ardhurave të qeverisë së përgjithshme përfaqësuan rreth 5.5% të tyre (tregues të decentralizimit në kahun e të ardhurave).
Të dy këta tregues kanë shënuar rënie krahasuar me nivelin e tyre në vitin 2021.
Të ardhurat vendore, varësi nga sektori i ndërtimit
Të ardhurat nga burimet e veta vendore përfaqësuan rreth 31% të burimeve totale në dispozicion të bashkive gjatë vitit 2022, në rritje me rreth 7% në terma vjetorë. Të ardhurat nga tarifat vendore ishin kontribuues kryesor në zgjerimin e të ardhurave nga burimet e veta vendore, duke përfaqësuar rreth 38% të të ardhurave në këtë kategori dhe duke rezultuar në një rritje vjetore me rreth 12%.
Në terma nominalë, 61 bashkitë në vend mblodhën rreth 32 miliardë lekë në vitin 2022, në rritje me rreth 7% krahasuar me nivelin e të ardhurave të mbledhura në vitin 2021.
Përjashtuar Bashkinë e Tiranës (e cila mblodhi rreth 45% të të ardhurave nga burimet e veta vendore për vitin 2022), kjo kategori të ardhurash shënoi rritje me rreth 14% në terma vjetorë.
Të ardhurat nga taksat vendore, ndonëse përfaqësojnë rreth 59% të të ardhurave nga burimet e veta vendore, dhanë kontribut pozitiv më të ulët në ecurinë e përgjithshme të të ardhurave nga burimet vendore.
Prirja e rritjes së të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë vijoi gjatë vitit 2022, duke u vlerësuar në rreth 0.5% të PBB-së nominale.
Nga rreth 10.1 miliardë lekë të ardhura nga TNI, rreth 73% e tyre është mbledhur në Bashkinë e Tiranës. Përjashtuar të ardhurat e arkëtuara nga Bashkia e Tiranës, 60 bashkitë e tjera në vend mblodhën rreth 2.7 miliardë lekë nga TNI, në rritje me rreth 26% në terma vjetorë.
Nga një anë, TNI ka kontribuar pozitivisht në rritjen e të ardhurave në buxhetin vendor, nga ana tjetër, i vendos ato në një pozicion sfidues për ofrimin e infrastrukturave të nevojshme publike, të cilat gjithashtu kërkojnë financime si në zhvillim fillestar, ashtu dhe në mirëmbajtje të vazhdueshme, duke rritur presionin për shërbime infrastrukturore për bashkitë.
Performanca në të ardhurat nga TNI sugjeron për vijimësi të presioneve zhvillimore matur nga të dhënat për numrin e lejeve të ndërtimit dhe sipërfaqen ndërtimore, ndonëse ky presion është përqendruar në Bashkinë e Tiranës.
Nga ana tjetër, taksa mbi pasuritë e paluajtshme ende nuk po jep efektet e pritura në buxhetet vendore. Problematikat në zbatim, veçanërisht për taksën e ndërtesës, pengojnë shfrytëzimin e plotë të potencialit që paraqet kjo taksë për bashkitë.
Në vitin 2022, nga taksat mbi tokën bujqësore, truallin dhe ndërtesën u mblodhën rreth 5.3 miliardë lekë, nivel ky më i ulët se një vit më parë.
Nëse do të shtonim të ardhurat nga taksa mbi transferimin e të drejtave të pronësisë, të ardhurat totale nga taksimi i pasurisë së paluajtshme regjistrojnë një vlerë prej 6.1 miliardë lekësh, pothuajse e njëjtë me një vit më parë (vlerësuar në rreth 0.3% të PBB-së).