zoom

Lajme

Bardhi: Agasi, lidhja e Ramës me krimin. Emëroi njeriun e tij në SHISH për informacione nga SPAK

Opozita ngre dyshime të forta se njerëz të botës së krimit, ish-zyrtarë apo zyrtarë që bëjnë ndërmjetësin e dy botëve te kryeministri Edi Rama, (kjo edhe sipas raportimeve të mediave të huaja apo intervistës së fundit të ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj nga arratia), kanë hedhur tentakulat e tyre edhe më thellë.

Kreu i grupit të PD. Gazment Bardhi bëri një denoncim të fortë për këtë çështje në Parlament. Ai hodhi  akuza të rënda dhe publikoi fakte tronditëse, në vijim të reportazheve të emisionit investigativ “Report” të RAI 3 mbi Ergys Agasin, njeriun, që sipas ish -zëvendëskryeministrit Ahmetaj, koordinon grupet kriminale të Durrësit dhe mban raportet e tyre me kryeministrin e vendit.

Mediat kanë publikuar të dhëna se Agasi zotëron pasuri marramendëse, përfshirë një vilë 1 milionë euro në bregdetin e jugut, pasuri që u hetua edhe nga SPAK. Po ashtu ai është denoncuar mediatikisht edhe për emërime të njerëzve të tij në poste kyçe në shtet.
Një prej këtyre emërimeve rezulton të jetë bërë në SHISH, sipas deputetit Bardhi.

Kreu i deputetëve demokratë e tha publikisht në parlament se Agasi kishte çuar njeriun e tij në SHISH që të mblidhte dhe jepte informacione për aktivitetin e SPAK dhe hetimet ndaj pushtetit.

“Ju e thoni në kafe por nuk keni guxim ta thoni këtu. Ju kolegë që ulni kokën se dini që Rama ka caktuar një përfaqësues për të mbajtur lidhjet mes tij dhe krimit të organizuar. Nuk jeni ju që thoni në kafe që Ergys Agasi është koordinatori i Ramës me krimin e organizuar.

Nisi ta testojë në Durrës, e çoi nëmë tej në të gjithë Shqipërinë. Më tej pasi krijoi të gjitha fijet, njeriun e Agasit e emëroi drejtues të Shërbimit Informativ Shtetëror. Në vend të luftojë krijimin, e të japë informacione për SPAK, tenton të marrë info brenda SPAK, që të furnizojë krimin e organizuar. Këto nuk duhet t’i diskutojmë sepse nuk na qenka fushë e veprimtarisë së Këshillit të Ministrave”, tha Bardhi në Parlament.

Intevista e RAI 3 me Ahmetajn dhe emri i Agasit si lidhje e Ramës me mafian

Të dielën e kaluar, imisioni investigativ “Report” i kanalit italian RAI 3, ka transmetuar pjesën e dytë të dokumentarit për Shqipërinë. Gazetari Giorgio Mottola mes të tjerash arriti të intervistonte ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, i cili sipas tij ndodhet në Zvicër pas mandatit të arrestit ndërkombëtar. Prej vitit 2013 si ministër dhe më pas zv/kryeministër, i akuzuar për inceneratorët, SPAK e ka shpallur në kërkim prej vitit të kaluar.

Ish-numri dy i qeverisë bëri akuza të forta edhe për lidhje të Ramës me krimin e organizuar, duke përmendur kryesisht Agasin si njeriun kyç në këtë çështje.

“Grupet kriminale marrin tenderë nëpërmjet përfaqësuesve të tyre. Është e ditur kjo në Shqipëri. Ndërtojnë, pastrojnë paratë e tyre ndërtim në Shqipëri. Praktikisht shesin drogë në të gjithë Europën dhe pastaj i kalojnë në Shqipëri. Ka në fakt një koordinim mes organizatave mafioze. Ata nuk vriten me njëri-tjetrin. Kjo sepse Edi Rama iu ka kërkuar të mos i hapin telashe. A është Rama i lidhur me këto grupe kriminale? Nuk është vetëm i lidhur, por po të jap emrin e koordinatorit, Ergys Agasi. Është një tip që jeton në Durrës, pranë klanit të Durrësit. Tani është bërë për llogari të Ramës, koordinator i të gjithë grupeve”, tha Ahmetaj.

Rai 3 përmend se Ergys Agasi, djali i ish-deputetit socialist të Durrësit, është një biznesmen dhe ish-zyrtar, përveç të tjerash pronar i një kompanie që prodhon cigare dhe që merret me logjistikë. Nuk ka qenë kurrë i dënuar apo i hetuar për lidhje me mafian shqiptare, por shpesh mediat kanë folur për lidhje të tij me anëtarë të grupeve kriminale si për shembull narkotrafikantin Xhevdet Troplini.

Por Arben Ahmetaj tregoi një anë tjetër që mediat deri dje nuk e kishin raportuar, ndonëse emri i Agasit kishte nisur të përmendej si një nga njerëzit më me influencë në Durrës.

“Agasi bën koordinatorin dhe pastaj ai i përdor për zgjedhjet. Ku i takon Rama? I takon edhe në zyrën e tij, në zyrën e mbledhjeve që ka në selinë e qeverisë. Unë nuk kam marrë pjesë sepse nuk kam pranuar kurrë të përfshihem. I kam parë pothuajse të gjithë. Personazhe nga Dibra, Durrësi, Elbasani… Po. Kapo të mafias”, tha Ahmetaj në rrëfimin për RAI3. /ZOOM.AL/