zoom

Lajme

Balla i përgjigjet Shehajt: Ke hallin tënd ti që bërtet, ma ka thënë Luli…

Balla i përgjigjet Shehajt: Ke hallin tënd ti që bërtet, ma ka thënë Luli…

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla i ktheu përgjigje kryetarit të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, pas deklaratave të këtij të fundit në seancë plenare për protestat.

Nga foltorja e Kuvendit, Balla akuzoi Shehajn se po përdor protestat për interesa personale, duke ngritur pretendime për çështje që lidhen me pronat dhe familjarë të tij. Deputeti socialist sfidoi publikisht kreun e Partisë Mundësia për t’u përballur me këto akuza, ndërsa shtoi se pas retorikës së tij politike fshihen interesa private.

“Kam folur me drejtuesin e Reuters në Tiranë. Në vlerësimin tim e drejta e fjalës është e pakushtëzuar. Në rastin në fjalë i kam thënë; sposto pak planin, është e thjeshtë. Ky Agron Shehaj që bërtet ka hall tjetër. Halli i tij është Agim Shehaj, që është një nga personat që ka manipuluar pronat. Ka hallin e tij. Hajde të sfidoj. Ikim tani dhe sqarohemi. Këta këtu të besuan regjistrin e partisë dhe ti ia vodhe. Ma ka thënë Luli. Më tha; iu besova atij …se s’ma lë etika parlamentare. Ndaj kthejua regjistrin partisë”, tha Taulant Balla.

Në reagimin e tij, Agron Shehaj i hodhi poshtë akuzat, duke i cilësuar shpifje dhe sulme politike. Ai deklaroi se familja e tij nuk ka përfituar prona në mënyrë të paligjshme dhe akuzoi mazhorancën se po përpiqet të shmangë debatin mbi pakënaqësinë e qytetarëve.

Shehaj theksoi se protestat e zhvilluara në vend pasqyrojnë zemërimin e qytetarëve ndaj qeverisë dhe klasës politike. Sipas tij, zëri i protestuesve nuk mund të injorohet dhe përgjegjësit për problemet e vendit do të përballen me drejtësinë.

“Familja ime dhe ti nuk kemi marrë asnjë m tokë nga ajo që na takon. Por ti je një shpifës ordiner. Unë ua plasja në fytyrë protestat e qytetarëve në Rrjoll dhe këtu heshtnin të gjithë. Nuk isha i çmendur unë Taulant. Sillja këtu zërin e qytetarëve, ata që duan kokën tuaj. Nuk ju shpëton asgjë, do të shkoni në burg, si Veliaj, si Ahmetaj!”, u përgjigj Agron Shehaj./ Zoom.al

Postime të lidhura