zoom

Aktualitet

Babë e bir rrihen barbarisht para shtëpisë në Fier, dyshime për përfshirjen e një polici

Babë e bir rrihen barbarisht para shtëpisë në Fier, dyshime për përfshirjen e një polici

Një episod i rëndë dhune është regjistruar mbrëmjen e kaluar në fshatin Vjosë të njësisë administrative Cakran, në bashkinë Fier, ku një baba dhe djali i tij janë sulmuar brutalisht në hyrje të banesës së tyre.

Sipas raportimeve, të dhunuarit janë Ylli Meçe dhe djali i tij, Altin Meçe, banorë të zonës.

Ata dyshohet se janë dhunuar nga tre persona, mes të cilëve sipas informacioneve paraprake mund të jetë i përfshirë edhe një punonjës i Policisë Vendore të Fierit.

Nga të dhënat e para, autorët fillimisht kanë ndërprerë furnizimin me energji elektrike të banesës dhe më pas kanë thirrur jashtë Altin Meçen. Sapo ai ka dalë nga shtëpia, është goditur në mënyrë të përsëritur me mjete të forta, duke mbetur i shtrirë në tokë përpara banesës.

Britmat dhe zhurmat kanë nxjerrë jashtë edhe babain e tij, Ylli Meçe, i cili është sulmuar po ashtu nga autorët, duke marrë goditje të forta në zonën e kokës dhe duke pësuar dëmtime serioze.

Pas aktit të dhunës, agresorët janë larguar nga vendngjarja, duke marrë me vete edhe telefonin celular të njërit prej të plagosurve.

Të dy të dëmtuarit janë transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Fierit. Ylli Meçe ka marrë ndihmën e parë mjekësore, ndërsa Altin Meçe vijon të jetë i shtruar në repartin e kirurgjisë. Mjekët bëjnë me dije se gjendja e tij është e rëndë, por jashtë rrezikut për jetën.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka konfirmuar se ngjarja është në hetim dhe se po punohet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve, si edhe për zbardhjen e motiveve që çuan në këtë akt të dhunshëm.

Sipas dëshmisë së familjarëve, Altin Meçe jeton dhe punon prej më shumë se pesë vitesh jashtë vendit, së bashku me familjen e tij, dhe kishte ardhur në Shqipëri më 20 dhjetor për të vizituar të afërmit.

Ata pretendojnë se konflikti ka nisur për shkak të disa ndërveprimeve në rrjetet sociale, konkretisht komenteve dhe pëlqimeve në profilin e një vajze. Sipas tyre, vëllai i saj, i cili punon si efektiv policie në Fier, dyshohet të jetë një nga autorët kryesorë të sulmit./ Zoom.al

Postime të lidhura