Aplikacion
Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e dhunshme e ndodhur një ditë më parë në Fier, ku u dhunuan barbarisht babë e bir para shtëpisë së tyre.
Altin Meçe, emigrant në Gjermani, rrëfen se mbrëmjen e djeshme rreth orës 23:00, sapo ishte kthyer në banesë, ka përjetuar momente ankthi dhe dhune.
Sipas tij, gjithçka nisi pasi kishte bërë një koment në “Facebook” në profilin e një bashkëfshatareje, motra e një efektivi policie.
Pak më herët, ndërsa ndodhej në lokalin e fshatit, ai kishte marrë një mesazh kërcënues për një “like”. Mesazhi, sipas dëshmisë së tij, vinte nga një person që mban funksion drejtues në strukturat policore në Fier.
Sapo kishte mbërritur në shtëpi, energjia elektrike iu ndërpre vetëm banesës së tij. Më pas, u thirr me emër që të dilte jashtë. Duke menduar se bëhej fjalë për një keqkuptim, Altini doli në oborr, por aty u përball menjëherë me dhunë fizike.
Ai thotë se është goditur nga të paktën tre persona, pa mundur të mbrohet, derisa ka humbur ndjenjat.
Zhurmat dhe britmat kanë nxjerrë jashtë edhe babanë e tij, Ylli Meçe, 80 vjeç, i cili u përpoq të ndihmonte të birin, por u godit edhe ai.
Dëshmia:
Mbrëmë në orën 11 të natës kam arritur në shtëpi. Kur isha te lokali i fshatit më kishte ardhur një mesazh kërcënues për një “like”. Mesazhi më erdhi nga një bashkëfshatari im që ai sot është komandant me forcat RENEA në Fier. Like i bëra motrës së tij në Facebook. Në 11 që kam arritur në shtëpi, janë fikur dritat vetëm të shtëpisë time dhe unë jam thirrur në emër që të dal jashtë. Porta e madhe me portën e shtëpisë janë në një distancë prej 50-60 metra.
Ai ishte tek porta e shtëpisë, jo tek porta e madhe. Unë dola se mendova se ishte vëllai. Mesazhi thoshte që nuk e di se me kë je mpleksur. Unë dal në derë dhe aty më qëllon direkt dhe më përsërit ato të mesazhit. Ishin të paktën 3 persona. Më kanë qëlluar pa mëshirë dhe më kanë rrëzuar përtokë pa ndjenja. Nëse unë jam gabim për një “like” apo koment ka dhe falje. Por të arrijë deri në këtë gjendje sat ë më bëjë mua për spital. Qëlluan edhe babanë, sapo doli jashtë.
Unë kam punuar në shtëpinë e tyre, kemi pasur marrëdhënie të mira. Fredi Astrit Lamaj e ka emrin. Më tha të njëjtat gjëra si në mesazh. Unë kam rënë pa ndjenja dhe kur u përmenda e pash veten në ambulancë. Unë kërkoj që kjo mos përsëritet më dhe dua të drejtën time, më është shkelur prona.
Telefoni im është marrë me vete, unë atë telefon nuk e gjej. Sot ka vajtur edhe policia atje po e kërkon, por nuk po e gjen. E logjikshme është që e kanë marrë këta.