Aplikacion
Pas ngjarjes së rëndë që tronditi Italinë fqinje ka reaguar e babai i të resë shqiptare që u masakrua me thikë nga i dashuri.
Teksa ka folur për mediat italiane, Flamur Sula ka treguar mbi telefonatën e fundit që ka zhvilluar me të bijën përpara se të ndodhte ngjarja.
“Hera e fundit që folëm me Ilarian ishte e martë dhe na tha se do të kthehej në shtëpi të shtunën. Ajo jeton me shoqet e saj në Romë, ku ndjek universitetin. Ajo ishte telefonata e fundit, pastaj morëm disa mesazhe nga celulari i saj që shkruante: ‘Përshëndetje, babi, mos u shqetëso. Jam mirë. Kam dalë me një djalë dhe një vajzë. Do të kthehem në Terni pas një muaji.’ Pastaj më përsëriste: ‘Mos u shqetëso, jam mirë.’ Kjo gjë na shqetësoi, sepse po të ishte vërtet vajza që po shkruante, do të më telefononte,”- ka treguar Flamuri.
Më tej babai ka treguar se pas disa ditësh mungesë komunikimi, ai ka bërë denoncimin në polici më 29 mars për zhdukjen e vajzës së tij, dhe një ditë më pas është takuar me filipinezin Mark Antony Samson.
Ai ka rrëfyer se i riu ishte shprehur i pikëlluar për zhdukjen e saj, madje dhe e kishte përqafuar.
“Të shtunën shkuam për të bërë denoncimin për humbjen e saj. Më pas, të dielën, takuam në komisariat të dashurin e vajzës time, nuk e dinim që ata ishin ndarë. Ai na tha se ishte shumë i pikëlluar dhe ishte i shqetësuar për humbjen e saj. Dukej i qetë dhe më dha edhe një përqafim,” rrëfen Flamur Sula, babai i Ilarias.
Mediat italiane shkruajnë se sipas burimeve mjeko-ligjore, ajo vdiq të paktën 48 orë para se të gjendej, ndërsa pritet që në vijim të caktohet edhe ekipi mjeko-ligjor që do të bëjë autopsinë.