Aplikacion
Avokati i njohur Arben Llangozi ka denoncuar një skandal nga institucioni i KPK-së.
Sipas Llangozit që kur u zbulua se gjyqtarja Irena Gjoka është e dënuar në Greqi, KPK fshiu çdo vendim të magjistratëve nga sistemi.
Postimi i Llangozit:
Mega-skandal në drejtësi pas vendimit të Gjokës, KPK zhduk nga sistemi të gjitha vendimet për magjistratët
Pas skandalit që shpërtheu rreth rastit të Irena Gjokës, e cila sipas raportimeve publike rezultoi e dënuar në Greqi, situata mori përmasa edhe më alarmante. Në vend që të garantonte transparencë dhe llogaridhënie, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) dyshohet se ka zhdukur nga sistemi jo vetëm vendimet që lidhen me këtë rast, por të gjitha vendimet dhe të dhënat e dhëna për magjistratët në tërësi. Faqja e KPK është mbyllur dhe publiku nuk ka më akses.
Një veprim i tillë nuk mund të konsiderohet si gabim teknik apo problem administrativ. Fshirja masive e vendimeve zyrtare përbën një mega-skandal të dyshuar si të qëllimshëm, që minon rëndë besimin në procesin e vettingut dhe në të ashtuquajturën drejtësi të re. Zhdukja e historikut të vendimmarrjes i heq publikut, mediave dhe institucioneve çdo mundësi për verifikim dhe kontroll, duke krijuar perceptimin e qartë të mbrojtjes institucionale dhe ndërhyrjes politike.
Nëse këto veprime konfirmohen, atëherë nuk kemi të bëjmë me një rast individual, por me një problem serioz dhe sistemik, ku institucionet që duhet të garantojnë ligjshmërinë kthehen në mekanizma të fshehjes së së vërtetës. Fshirja e gjurmëve zyrtare është po aq e rëndë sa vetë shkeljet që pretendohet se mbulohen, dhe përbën një alarm të hapur për kapjen e sistemit të drejtësisë.