zoom

Aktualitet

Atentati mafioz, nipi i pronarit të “Pelikani security” në gjendje të rëndë! Detajet, të rinjtë po ktheheshin nga festa e ditëlindjes së 11-vjeçarit

Atentati mafioz, nipi i pronarit të “Pelikani security” në gjendje të rëndë! Detajet, të rinjtë po ktheheshin nga festa e ditëlindjes së 11-vjeçarit

Detaje të reja dalin nga atentati mafioz në Tiranë ku mbetën të plagosur 11-vjeçari D.D, nipi i pronarit të kompanisë “Pelikani Security”, djali i biznesmenit, M. D, si edhe shoku i tyre 19-vjeçari Kian Mullahi, dhe shoferi i familjes Demiraj, Arens Stafa 34-vjeç.

Raportohet se ata kishin shkuar në Pjezë të Shijakut për të festuar te pista e garave, sepse 11-vjeçari kishte ditëlindjen dhe shoqëroheshin nga shoferi Arens Stafa, në automjetin tip G Class me targë AB002MD, në pronësi të Vesel Demirajt.

Tre të rinjtë janë shokë me njëri-tjetrin edhe komshinj prej kohësh, pasi i kanë banesat në Lundër ngjitur me njëri-tjetrin te Rolling Hills.

Ndërsa Kian Mullahi studion në Londër dhe sapo ishte kthyer në vendin tonë një ditë para ngjarjes për Pashkët.

Ata janë dërguar në Pjezë tek pista e garave nga shoferi i “Pelikani Security”, Arens Stafa, ku të rinjtë pasi kanë festuar atje, janë kthyer për në Lundër te banesat e tyre ku do të festonin edhe ditëlindjen e 11-vjeçarit me familjarët.

Gjatë kthimit kanë dalë në Unazë për të udhëtuar drejt Lundrës, por kur janë futur te rrethrrotullimi i Shkozës rreth orës 21: 30, për të vijuar ecjen në autostradë, një automjet tjetër tip fuoristradë i ka zënë në pritë.

Fuoristrada i është afruar G Class-it, nga ku ka nisur të qëllohet me breshëri në drejtim të tyre deri te Agropark (Tregu Agro Ushqimor), ku ka qenë pika kulminante e të shtënave me armë.

Shoferi i G-Class është munduar t’u shmanget të shtënave dhe ka arritur ta çojë makinën deri në Lundër për të mbërritur te banesat e tre të rinjve.

Por, gjatë tentativës për t’u larguar automjeti, si pasojë e plumbave të shumta më armë, nuk i kanë mbajtur frenat dhe është përplasur në vendin ku edhe u gjet makina tip G Class.

Kanë qenë njerëz të rastësishëm që kanë kaluar në atë rrugë dhe kanë parë automjetin.

Ata i kanë dhënë ndihmën e parë të rinjve dhe makinat private me shpejtësi i kanë dërguar të katër në spitalin e Traumës.

Shoferi 34-vjeçar dhe 19-vjeçari Kian Mullahi ndodhen jashtë rrezikut, ndërsa 17-vjeçari në gjendje stabël, kurse 11-vjeçari në gjendje më të rënduar.

M. D dhe shoku i tij pasi kanë marrë mjekim në spitalin e Traumës janë dërguar në spital privat.

Raportohet se familjarët e të plagosurve nuk kanë qenë në dijeni dhe janë lajmëruar nga policia rreth 1 orë pas ngjarjes.

Sa u përket autorëve dyshohet se kanë qenë tre persona brenda në automjetin tip fuoristradë, por ende nuk ka asnjë gjurmë të tyre nga policia dhe janë larguar në drejtim të paditur.

Hetuesit ende nuk kanë një pistë konkrete për këtë ngjarje të rëndë, por dyshohet që autorët mund të kenë ngatërruar edhe shënjestër pa e ditur se kush po udhëtonte brenda G Class-it që ishte nën shënjestrën e tyre.

Hetuesit kanë marrë deklarimet e para të të rinjve të plagosur pas ngjarjes, të cilët të tronditur kanë deklaruar se nuk kanë asnjë konflikt dhe po ashtu edhe ditën e djeshme nuk kanë pasur asnjë sherr. Të rinjtë s’kanë asnjë precedent, po ashtu edhe shoferi i tyre./ Zoom.al


Postime të lidhura