Aplikacion
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj arrestimit të avokatit Ulian Barjami, duke e cilësuar këtë veprim si një formë presioni dhe terrori ndaj avokatëve në vend. Nga jashtë ambienteve të SPAK, Berisha akuzoi strukturat shtetërore për dhunim të lirive dhe përpjekje për të heshtur zërat kritikë në sistemin e drejtësisë.
“Që nga koha e diktaturës nuk ka ndodhur që një avokat të arrestohet sepse i thotë një prokurori se do ta padisë penalisht. Ku është kërcënimi këtu? Ku është fyerja?” – u shpreh Berisha.
Ai sulmoi drejtpërdrejt edhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, duke e cilësuar si “anëtar bande” dhe duke e akuzuar për bashkëpunim në arrestimin e padrejtë të avokatit.
“Ky bandit, me Prodën që është pjesë e bandës, thërret avokatin dhe e arreston të nesërmen. Kjo është një përpjekje për të terrorizuar gjithë avokatët dhe për t’u mbyllur atyre gojën në sallat e gjyqit,” tha Berisha.
Sipas tij, kjo nuk ka asnjë lidhje me drejtësinë, por përbën një sulm të rëndë ndaj shtetit ligjor dhe të drejtave të mbrojtjes në proceset gjyqësore.
“Kur dëgjova fillimisht, mendova se avokati kishte humbur kontrollin dhe kishte qenë agresiv ndaj prokurorit. Por kur pashë pamjet, kuptova se çfarë ndodhi në të vërtetë – dhe ajo është një skenë turpi. Kjo nuk është drejtësi. Këta që përpiqen të shndërrojnë krimet e shëmtuara në mburojë për drejtësinë, janë dy herë kriminelë,” përfundoi Berisha.