Aplikacion
Te Milani nuk ka qetësi në këtë fund kampionati, ku brenda pak ditësh është kaluar nga euforia e rinovimit të mundshëm të Luka Modric te frika reale e dështimit për t’u kualifikuar në Champions League.
Humbja e fundit ndaj Sassuolos ka vënë gjithçka në diskutim, duke kërcënuar projektin e klubit dhe duke rritur hendekun me rivalët e Interit. Nëse Milani përfundon në Europa League, kjo do të prekte shumë hallka të klubit, përfshirë edhe emrat më të lartë.
Luka Modric, lideri i mesfushës së Massimiliano Allegrit, mund të jetë i pari që do të largohej nga “anija” në rast dështimi, duke rishikuar vendimin e tij për të luajtur edhe një sezon pas Botërorit.
Situata është po aq kritike edhe për vetë Allegrin. Dështimi për të siguruar Champions-in do të konsiderohej një dështim personal, duke bërë që opsioni i kombëtares italiane të kthehej në një rrugëdalje të mundshme për teknikun livornez.
Pa të ardhurat e Champions-it, synimet për lojtarë si Goretzka do të shuheshin, duke u zëvendësuar me projekte me rrezik të lartë bazuar te lojtarët e rinj.
Tashmë, kuqezinjve u duhen të paktën 6 pikë në tre ndeshjet e mbetura ndaj Atalantës, Genoas dhe Cagliari-t për të shpëtuar sezonin dhe të ardhmen.