zoom

Aktualitet

Alarm në Vlorë/ Rritet prania e peshkut helmues: Nëse konsmuohet, shkakton edhe vdekje

Alarm në Vlorë/ Rritet prania e peshkut helmues: Nëse konsmuohet, shkakton edhe vdekje

Rritja e pranisë së një specieje shumë toksike në ujërat shqiptare, veçanërisht në Gjirin e Vlorës, ka ngritur shqetësime serioze mes peshkatarëve dhe specialistëve të mjedisit.

Bëhet fjalë për atë që njihet si “peshku top”, një lloj i njohur për nivelin e lartë të helmit që përmban, i cili në rast konsumimi mund të jetë fatal për njeriun.

Sipas ekspertëve të zonave të mbrojtura, Nexhip Hysolakoj, vetëm në dy–tre muajt e fundit janë regjistruar disa raste të kapjes së këtij peshku.

Specialistët theksojnë se situata është shqetësuese, pasi mungon informacioni i mjaftueshëm tek peshkatarët dhe konsumatorët. Në disa raste, peshku është identifikuar thjesht si “peshk top”, pa u njohur rreziku i tij i madh për shëndetin.

Ekspertët paralajmërojnë se edhe sasi shumë të vogla të konsumit mund të shkaktojnë pasoja të rënda si paralizë, probleme me frymëmarrjen dhe në raste ekstreme, vdekje.

Sipas tyre, përhapja e kësaj specie lidhet me faktorë si ndryshimet klimatike dhe hyrja e specieve invazive nga Mesdheu përmes Kanalit të Suezit, të cilat po ndikojnë në ekosistemet detare të rajonit.

Peshkatari Viktor Koçaj tregon se ky peshk është hasur edhe më herët, por jo në këto përmasa dhe jo me këtë frekuencë.

“E kemi parë edhe më parë, por tani po shfaqet më shpesh dhe në madhësi më të madhe. Është diçka e pazakontë për ne,” u shpreh ai.

Ai shton se peshkatarët marrin masa mbrojtëse gjatë kontaktit me këtë specie, duke përdorur doreza dhe duke shmangur çdo kontakt direkt, për shkak të toksicitetit të lartë.

“Ky peshk nuk përdoret për konsum. Është shumë i rrezikshëm për shëndetin dhe nuk duhet të futet në ushqim në asnjë rast,” thekson ai.

Sipas peshkatarëve, ekzemplarët e fundit janë kapur në thellësi më të vogla se zakonisht, gjë që tregon një ndryshim në sjelljen e kësaj specieje./ Zoom.al

Postime të lidhura