zoom

Kosova

Akuzohet se po jep bonuse për shkak të zgjedhjeve, Kurti reagon për “blerjen” e votave

Akuzohet se po jep bonuse për shkak të zgjedhjeve, Kurti reagon për “blerjen” e votave

Në prag të zgjedhjeve, qeveria e Kosovës ka premtuar se do të ndajë bonuse nga 100 euro për fëmijët dhe pensionistët për fundvit.

“Me 28 dhjetor fitojmë bindshëm dhe festojmë, pastaj me 29 dhjetor gëzohen të gjithë fëmijët dhe pensionistët,- tha Kurti kur njoftoi për bonuset në fjalë.

Megjithatë, kjo shihet si blerje e votës, pasi zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 28 dhjetor.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha se kjo është metoda se si Kurti dhe Vetëvendosje duan të mbesin në pushtet.

“100 euro për fëmijë dhe pensionistë. Mënyrë e përsosur për me ble vota. Një ose dy vendime me nga një faqe, pa bazë ligjore, pa ndonjë arsyetim të bazuar, që kushtojnë mbi 100 milionë euro”,– u shpreh Miftaraj.

Ndërkohë, vetë kryeministri në detyrë tha se këto bonuse janë të përvitshme: “A kanë qenë këto shtesa edhe vitin e kaluar edhe para atij viti? Ne në fundvit i gëzojmë më të moshuarit dhe fëmijët. S’ka asgjë të re, e re është qeverisja jonë.”

Kjo nuk është hera e parë që qeveria e Kosovës ndan bonuse për kategori të ndryshme. Para zgjedhjeve të 26 tetorit mori vendimin për shtesa për kategori sociale, tre ditë para raundit të dytë të zgjedhjeve lokale ekzekutoi bonuset nga 100 euro për studentë dhe katër ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare ekzekutoi bonuset për grupin e dytë të studentëve./ Zoom.al

Postime të lidhura