Aplikacion
Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në provincën e Cuneos, në Italinë veriore, duke marrë jetën e dy të rinjve shqiptarë, rreth të njëzetave. Ngjarja e rëndë ndodhi përgjatë rrugës provinciale 156, pranë shenjtërores së Madonna della Sanità, në zonën e Saviglianos.
Dy viktimat udhëtonin në një automjet tip Jeep. Në të njëjtin automjet udhëtonte edhe një i ri tjetër shqiptar, 21 vjeç, i cili ndodhet i shtruar në spitalin e Saviglianos, jashtë rrezikut për jetën.
Në aksident u përfshi edhe një autokamion, i cili përfundoi në një kanal anës rrugës. Dy personat që udhëtonin në të, një 58 vjeçar dhe një grua 55 vjeçe janë të shtruar në spital. Burri ndodhet në gjendje të stabilizuar, ndërsa gruaja ka pësuar shumë trauma trupore dhe ndodhet në gjendje kritike në spitalin e Cuneos.
Në vendngjarje ndërhynë helikopteri i ndihmës së shpejtë mjekësore, dy ambulanca të pajisura me mjekë, policia lokale, karabinierët dhe zjarrfikësit, të cilët punuan për të nxjerrë të lënduarit dhe viktimat nga mjetet e shkatërruara. Dinamika e aksidentit mbetet ende nën hetim, por dyshohet se shkak mund të ketë qenë një parakalim i rrezikshëm nga njëri prej automjeteve.
Që nga fillimi i vitit 2026, katër persona kanë humbur jetën në rrugët e provincës së Cuneos, ndërsa gjatë vitit të kaluar janë regjistruar gjithsej 37 viktima.
Humbja e dy të rinjve shqiptarë ka shkaktuar dhimbje të thellë te familjarët dhe komuniteti.