zoom

Aktualitet

Aksident tragjik në Durrës/ Makina bie nga mbikalimi te Ura e Dajlanit, humb jetën 18-vjeçarja. Plagosen 3 të tjerë

Aksident tragjik në Durrës/ Makina bie nga mbikalimi te Ura e Dajlanit, humb jetën 18-vjeçarja. Plagosen 3 të tjerë

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mbrëmjen e 15 janarit në Durrës, në zonën e njohur si Ura e Dajlanit. Rreth orës 22:15, një automjet tip BMW X5 ka dalë nga rruga dhe ka rënë nga mbikalimi, duke përfunduar rreth 30 metra poshtë urës.

Si pasojë e aksidentit, pasagjerja 18-vjeçare ka humbur jetën, ndërsa drejtuesi i mjetit, shtetasi A. Xh., 26 vjeç, banues në Fier, ka mbetur i plagosur rëndë dhe është transportuar me urgjencë në spital për ndihmë mjekësore. Të dëmtuar kanë mbetur edhe dy këmbësorë, të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

Automjeti është dëmtuar rëndë nga përplasja e fortë, duke bërë të domosdoshme ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse për nxjerrjen e personave që ndodheshin brenda tij. Dyshohet se drejtuesi ka humbur kontrollin e mjetit, ndërsa as mbrojtëset metalike të rrugës nuk kanë mundur ta ndalin automjetin, i cili ka përfunduar poshtë urës.

Mësohet se në një segment të mbikalimit të Urës së Dajlanit po kryhen punime në njëjtën korsi dhe zona ka qenë e pajisur me sinjalistikë dhe tabela paralajmëruese. Ende nuk është e qartë nëse këto nuk janë dalluar nga drejtuesi i mjetit apo nëse kanë ndikuar faktorë të tjerë në aksident./ Zoom.al

Postime të lidhura