Aplikacion
Një aksident i rëndë rrugor i ndodhur në orët e para të mëngjesit në Lushnjë i ka marrë jetën një 43-vjeçari.
Viktima është identifikuar si Ernis Xhumari, i cili humbi jetën në vendngjarje si pasojë e përplasjes së fortë me automjetin që drejtonte.
Sipas informacioneve paraprake, automjeti tip “Benz” po lëvizte me shpejtësi të lartë në zonën e rrethrrotullimit të Plasmasit, kur drejtuesi humbi kontrollin e mjetit. Fillimisht makina ka goditur bordurën e rrethrrotullimit, më pas është përplasur me një shtyllë ndriçimi dhe ka përfunduar dhjetëra metra më larg.
Për shkak të forcës së përplasjes, 43-vjeçari ka pësuar dëmtime të rënda, duke ndërruar jetë menjëherë në vendngjarje.
Menjëherë pas aksidentit, në zonë mbërritën shërbimet e Policisë Rrugore dhe grupi hetimor, të cilët nisën veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit fatal.
Në vendngjarje ndërhynë edhe forcat zjarrfikëse, të cilat pastruan rrugën nga mbetjet e automjetit të shkatërruar.
