zoom

Ekonomi

AKSHI dështon sërish. Anullon tenderin 3 mln euro për Inteligjencën Artificiale që do na çojë në BE

AKSHI ka dështuar sërish me tenderin e Inteligjencës Artificiale, në kuadër të integrimit në BE.

Tenderi 2.8 milionë euro për përdorimin e Inteligjencës Artificiale në transpozimin e legjislacionit të përbashkët të Bashkimit Europian u anullua dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit njoftoi se edhe këtë herë arsyeja e anullimit të tenderit është se në garë nuk u dorëzua asnjë ofertë e përshtatshme.

Kjo është hera e dytë, që tenderi për inteligjencën artificiale dështon.

Për herë të parë, tenderi për inteligjencën artificiale u shpall në 27 dhjetor të vitit të kaluar, por në shkurt AKSHI, njoftoi dështimin e tij për ta rihapur sërish garën për herë të dytë një muaj më pas.

Në mesin e marsit Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit e shpalli sërish tenderin me të njëjtin fond limit dhe me të njëjtat kushte. Por edhe këtë herë procedura ka dështuar, sërish për mungesë oferta.

Tenderi për përdorimin e inteligjencës artificiale u trumbetua me bujë nga qeveria dhe AKSHI si një zgjidhje inovatore për të lehtësuar procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Në një konferencë për shtyp, në fund të vitit të kaluar duke ju referuar kësaj zgjidhje, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se Shqipëria do të ketë një performancë serioze me pesë vjet para diferencë me shtetin e Kroacisë.

“E kam informuar Brukselin për modelin tonë të ri të Inteligjencës Artificiale, me të cilin do të vendosim organizmin e BE-së në sistemin tonë. Kjo do të jetë pjesë e strategjisë sonë të procesit, duke qenë gati 5 vite më shpejt nga Kroacia, që mbahet mend për një performancë serioze. Asaj i mori 7 vite, sikurse do të na merrte edhe ne, sikurse mund t’i marrë vendeve në rajon, nëse do të ndiqnim rrugën tradicionale, me një armatë përkthyesish dhe juristësh, vetëm për të bërë përkthimin dhe redaktimin e dhjetëra mijëra faqeve masa ligjore, që duhet të adoptojë një vend për t’u bërë gati për anëtarësim në BE”, ka thënë Rama.

Por pavarësisht euforisë së qeverisë, tenderi për përdorimin e inteligjencës artificiale në përkthimet e dokumentave të BE dështoi. Kompanitë shqiptare të teknologjisë së informacionit nuk arritën të përmbushnin dëshirën e kryeministrit Rama për të integruar vendin në Bashkimin Europian nëpërmjet përkthimit të dokumenteve me Inteligjencë Artificiale. Tashmë mbetet për t’u parë se çfarë risie do të sjellë kryeministri për të përshpejtuar hapat drejt Bashkimit Europian