zoom

Ekonomi

Euromoney kurorëzon Credins bank si “Banka më e Mirë për Përgjegjësinë Korporative 2026”

Euromoney kurorëzon Credins bank si “Banka më e Mirë për Përgjegjësinë Korporative 2026”

Credins Bank kurorëzohet me çmimin më të rëndësishëm të vitit, “Best Bank for Corporate Responsibility 2026”, nga Euromoney, autoriteti më prestigjioz i industrisë financiare globale.

Një vlerësim i jashtëzakonshëm që e pozicionon tashmë Credins Bank si të parën dhe të vetmen bankë në Shqipëri të vlerësuar me këtë çmim për përgjegjësinë korporative, duke i dhënë një tjetër dimension një rrugëtimi shumëvjeçar investimesh, projektesh dhe iniciativash me ndikim të drejtpërdrejtë në shoqëri dhe komunitete.

Në një mbrëmje gala të zhvilluar në Londër, ku morën pjesë drejtues të lartë dhe përfaqësues të bankave e institucioneve financiare nga vende të ndryshme të botës, Credins Bank përfaqësoi Shqipërinë në Euromoney. Gjatë ceremonisë, drejtuesve më të lartë të bankës iu dorëzua çmimi “Best Bank for Corporate Responsibility in Albania 2026”. Një vlerësim që merr një domethënie të veçantë jo vetëm për Credins Bank, por edhe për përfaqësimin e Shqipërisë në një arenë të tillë ndërkombëtare.

Pas këtij vlerësimi qëndron një punë e jashtëzakonshme dhe një angazhim i ndërtuar ndër vite. Gjatë një procesi disamujor vlerësimi, aktiviteti i Credins Bank për periudhën 2024–2025 iu nënshtrua një procesi intensiv dokumentimi, analizimi dhe prezantimi, duke sjellë një panoramë të plotë të investimeve, projekteve, partneriteteve dhe iniciativave që kanë prekur dhe ndikuar shoqërinë në çdo skaj të Shqipërisë.

Ky proces shkoi përtej evidentimit të shifrave apo rezultateve, duke dëshmuar jo vetëm një model të konsoliduar suksesi në përgjegjësinë korporative, por edhe një mënyrë të re të të bërit biznes, ku suksesi financiar shndërrohet në ndikim real dhe vlerë të qëndrueshme për shoqërinë shqiptare.

Përmes vizionit të drejtuesve dhe aksionarëve të bankës, përgjegjësia korporative është vendosur në zemër të filozofisë së Credins, duke u kthyer në një nga shtyllat kryesore të identitetit dhe rrugëtimit të saj.

Me të njëjtën ambicie me të cilën banka ka zgjeruar praninë dhe rolin e saj në sistemin financiar shqiptar, ajo ka zgjeruar edhe kontributin e saj përmes qindra projekteve dhe nismave sociale në fusha jetike për zhvillimin e vendit. Nga arsimi, shëndetësia, arti dhe kultura, te sporti, mjedisi, teknologjia dhe mbështetja për komunitetet në nevojë, Credins ka shkuar përtej mbështetjes tradicionale, duke i dhënë një dimension të ri investimit njerëzor dhe përgjegjësisë ndaj shoqërisë.

Vetëm gjatë vitit 2025, Credins Bank realizoi 175 iniciativa në kuadër të përgjegjësisë korporative, të orientuara sipas 17 Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs) të Kombeve të Bashkuara, duke rritur ndjeshëm kontributin e saj dhe numrin e përfituesve në të gjithë vendin.

Ky angazhim dëshmon edhe një herë seriozitetin e Credins Bank në çdo nismë të ndërmarrë. Kontributi shumëvjeçar merr sot një tjetër peshë përmes vlerësimit të Euromoney, një emër simbol i ekselencës në industrinë financiare globale. Prej dekadash, Euromoney është një pikë referimi për industrinë bankare ndërkombëtare dhe çmimet e tij konsiderohen ndër vlerësimet më prestigjioze për institucionet financiare në mbarë botën.

Vlerësimi nga Euromoney i shtohet një historie çmimesh që kanë vlerësuar ndër vite angazhimin e Credins Bank në përgjegjësinë korporative. Në vitin 2023, banka u shpall fituese e çmimit “SDG Business Pioneers Albania”, në kategorinë e biznesit të madh, në konkursin e organizuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), duke u bërë banka e parë që mori vlerësimin maksimal për kontributin e saj në fushën e përgjegjësisë sociale.

Nga vlerësimi i Kombeve të Bashkuara te çmimi prestigjioz i Euromoney në Londër, Credins Bank konfirmon edhe një herë pozicionin e saj si një nga institucionet lider në fushën e përgjegjësisë korporative në Shqipëri.

“Best Bank for Corporate Responsibility in Albania 2026” është një tjetër moment krenarie në historinë e bankës, por mbi të gjitha një arritje që i jep jehonë ndërkombëtare një filozofie të ndërtuar me përkushtim në Shqipëri./ Zoom.al