Aplikacion
Pas helmimit të dytë në Akademinë e Sigurisë, prej dy javësh institucioni ka hequr dorë nga ushqimi me katering për studentët.
Burime për mediat njoftuan se tashmë ushqimi përgatitet në mensën e institucionit.
Në vetëm një muaj në akademinë e Sigurisë ndodhën dy helmime ku në total 116 kursantë shfaqën simptoma si të vjella, diarre dhe temperaturë pas konsumimit të vakteve me katering. Kursantët morën ndihmë mjekësore në spital ndërsa nisi hetimi për standardet e sigurisë ushqimore në akademinë e sigurisë.
Ushqimi për kursantët gatuhej në ambientet e kompanisë Sor Al dhe më pas dërgohej në akademinë e sigurisë. Kjo mënyrë tashmë prej datës 27 qershor ka ndryshuar për të shmangur incidentet me helmimet masive dhe mensa është ristrukturuar dhe stafi i guzhinierëve është shtuar ku menuja për studentët është më e pasur.
Akademia e Sigurisë pritet të futet në një proces të plotë ristrukturimi, ku pas zgjidhjes së cështjes së ushqimit për studentët edhe administratori Milton Nushi ka dhënë dorëheqjen.