Aplikacion
I pyetur në emisionin “Now” në Euronees nga moderatorja Erla Mëhilli, nëse “keni dijeni që ky material (toksik) ka mbetur i ekspozuar në Portin e Durrësit për një kohë të gjatë” Jim Puckett u përgjigj: “Po, absolutisht”.
Po në të njëjtën intervistë ai tha se ky material ka rrezik të jetë përhapur në mjedis, (në ajër, tokë dhe ujë) për shkak se nuk janë respektuar standardet e magazinimit dhe transportit.
“Për mua është e jashtëzakonshme që e keni atë material në portin e Durrësit, e mbani aty pa mbrojtje dhe e lini të hapur, që mund të bjerë edhe shiu dhe e lini të hapur. Nuk mund të lini një material të tillë të hapur, që të ngarkohet, pa ditur askush se çfarë përmban, rreziqet nëse bie shi, nëse fryn era që mund ta përhapë këtë material. Pamë foto të mënyrës si po ngarkoheshin, me një traktor për t’i sjellë brenda kontejnerin, nuk ishin të vulosura… Ne pamë fotografi të mënyrës se si po ngarkoheshin. Ata ishin duke përdorur një traktor për t’i sjellë brenda kontejnerëve. Pra nuk kishte ndonjë vulosje apo ndonjë fuçi të veçantë. Ishte një traktor që thjesht po i hidhte brenda kontejnerit. Dhe kjo nuk është praktikë e zakonshme për materiale të tilla”, – deklaroi zoti Puckett
Sipërfaqja që dyshohet se mund të jetë kontaminuar nga këto materialet toksike, është ajo mbi të cilën do të ndërtohen pallate banimi, hotele, bare e restorante, sipas projektit të “Durrës Yacht Marina” të marrë nga kompania “Eagle Hills” e biznesmenit arab Mohamed Alabbar.
LEXO EDHE: EKSKLUZIVE/ Kallëzohet në SPAK marrëveshja për Marinën e Durrësit
Por çfarë rreziku mund të sjellë ndotja toksike e këtij mjedisi? Drejtori ekzekutiv i Rrjetit të Bazelit flet për nivele të larta plumbi.
“Ne zbuluam të njëjtët kontejnerë që po ngarkoheshin në portin e Durrësit me një material me ngjyrë kafe. Ai material u analizua nga kinezët që kishte më shumë se 8 për qind të plumbit, që e bën atë një mbetje të rrezikshme” – thotë Puckett.
Plumbi, sipas Organizatës Botërore të Mjedisit, plumbi shkakton probleme të rënda shëndetësore, kryesisht në sistemin nervor dhe atë kardio-vaskular, në mënyrë të veçantë tek fëmijët e gratë shtatzëna.
“Plumbi është një metal i rëndë i dëmshëm. Plumbi është gjithashtu shumë toksik për njerëzit dhe mjedisin. Është një toksik kumulativ veçanërisht i rrezikshëm për fëmijët e vegjël dhe gratë shtatzëna. Pasi të merret në trup, plumbi mund të shkaktojë dëmtime të përhershme në sistemet neurologjike dhe kardiovaskulare (UNEP & Pure Earth, 2019).
Ndërsa një studim i Institutit të Shëndetit Publik në Shqipëri, i botuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, mbi rrezikun që ka helmimi nga plumbi tek fëmijët, bën këtë sqarim:
“Tani është kuptuar se fëmijët janë në risk veçanërisht të lartë ndaj toksicitetit të plumbit. Nga ngjizja e tutje fëmijët kanë një risk më të madh ekspozimi dhe ndjeshmëri më të madhe ndaj efekteve toksike të plumbit se sa të rriturit. Në jetën e hershme – gjatë fazës së embrionit, fetusit dhe jetës së hershme pas lindjes – ka dritare cënueshmërie ndaj plumbit që nuk kanë homologë në jetën prej të rrituri (American Academy of Pediatrics Committee on Environmental Health, 2003).
Mbetjet që zoti Puckett thotë se kanë qëndruar për një kohë të gjatë të ekspozuara në ambintet e portit të Durrësit, sipas tij janë prodhuar në furrat e shkrirjes së çelikut, nga Kurum.
“Jemi 95 për qind të sigurt se këto janë mbetje të prodhuara nga industria, nga pluhuri i furrës, një mbetje industrial, gjithashtu toksike, sipas Konventës së Baselit” -deklaroi ai.
Autoritetet në Shqipëri kanë nisur një hetim për të kuptuar se si 102 kontejnerë me mbetje të dyshuara toksike kanë kaluar në port me destinacion Tajlandën. Por deri tani, asnjë institucion, sipas hulumtimeve të Zoom.al, nuk po bën matje se cili është niveli i ndotjes nga këto mbetje të rrezikshme për zonën ku ata kanë qëndruar në ambient të hapur në Portin e Durrësit.
Plumbi apo mjetjet e tjera toksike, të përhapura në mjedis nga era apo shiu, mund të kenë kontaminuar edhe ujërat nëntokësorë apo ujin e detit, çka e bën të rrezikshëm shfrytëzimin e tyre apo larjen në det.
Nëse mjedisi është kontaminuar, siç paralajmëron Puckett, këto mbetje përbëjnë rrezik sa për ata që punojnë aktualisht në Portin e Durrësit, aq edhe për ata që pritet të jetojnë në të njëjtën zonë pas ndërtimit të pallateve sipas projektit të “Durrës Yacht Marina”. Problemi, – thotë drejtorit ekzekutiv të Rrjetit të Bazelit – është shumë i madh.
“Kur doganat thonë se nuk kemi informacione dhe kur ministria e Mjedisit thotë se nuk e di çfarë është, kjo tregon se ka një problem shumë të madh. Sepse kjo tregon që ky material është i ekspozuar nga elementë të natyrës dhe mund të shpërndahet dhe nuk mund të qëndrojë aty, duke mos e ditur njerëzit se çfarë është” – thotë Puckett.
Që nga kjo intervistë alarmante, sipas të dhënave të siguruara nga Zoom.al, në Portin e Durrësit nuk ka ndryshuar asnjë protokoll për mënyrën se si operohet, për të ruajtur punëtorët nga helmime të mundshme të këtyre mbetjeve toksike. Po ashtu, Instituti i Shëndetit Publik apo Agjencia Kombëtare e Mjedisit nuk kanë marrë asnjë kampion për të parë nëse kjo zonë është apo jo e banueshme, pasi në të njëjtën sipërfaqe ku kanë qëndruar mijëra tonelata me mbetje toksike do të ngrihen pallatet e banuara të “Durrës Yacht Marina”, që ka nisur shitjet ende pa u hedhur themelet dhe vazhdon të punojë ende pa u hedhur dritë mbi dyshimet e hedhura nga Rrjeti i Bazelit për kontaminimit toksik të tokës, ajrit dhe ujit. /Zoom.al
“Rusia furnizoi me sisteme të mbrojtjes Korenë e Veriut në këmbim të forcave të saj”