zoom

Ide & Blog

Pjellat zvarranike të reformës në drejtësi

Nga Andi Bushati

Zakonisht regjimet autokratike mbështeten në dy grupime njerëzish: tek kamikazët, që janë gati të hidhen në zjarr për ti shërbyer dhe tek skuthët të cilët i përkrahin në heshtje, duke qenë njëkojësisht të turpëruar që ta bëjnë publikisht këtë.

Në kontekstin tonë aktual, këto dy profile individësh i rinxori në sipërfaqe reforma në drejtësi.Të parët përfaqësohen nga spakistët, ushtarë të bindur të idesë se Shqipërisë i duhet një sistem me zgjedhje farsë, me opozitë të masakruar dhe me kryeministër mbi ligjin, që presupozohet të veprojë për të gjithë njësoj.

Veçanësia qëndron tek të dytët. Përditë e më shumë konfigurimi i tyre po merr tiparet e fytyrës së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Shumica të paaftë deri në kufijtë e injorancës, të pa karakter deri në përçudnim, meskinë, aq sa të mos ngrihen përtej halleve të tyre të vogla, ata simbolizojnë arketipin e qytetarit amebë që promovoi reforma euro atlantike. Një provë për këtë e dhanë së fundi edhe me mënyrën si u sollën në procesin e Sali Berishës. Kur pas orësh të gjata diskutimesh, në një sallë të mbyllur, vendosën të komunikojnë vendimin që kishin marrë, ata ngjallën më shumë paqartësi dhe konfuzion. Në media rrodhën lajmet e para se kushtetuesja i kishte dhënë pjesërisht të drejtë liderit të opozitës. Se ajo e kishte quajtur gabim kufizimin për sekuestrimin e pashaportës, ndërkohë që e konsideronte të arsyeshme masën e detyrim paraqitjes. Aq e turbullt ishte situata sa një reportere e spikatur e kronikës e përcaktoi këtë vendim si “as mish, as peshk”. Madje në momentet e para, disa gazetarë, pyetën të habitur njëri-tjetrin, se mos për Berishën po përfundonte arresti. Në media u shfaqën titujt e parë se gjykata i paskësh dhënë atij të drejtë për gjysmën e pretendimeve.

Vendimi i Kushtetueses: Berisha të mbahet i izoluar

Në fakt, realiteti ishte krejtësisht i ndryshëm. Verdikti qe i qartë se, lideri i opozitës duhej të mbahej në izolim dhe se procedura e ndjekur nga SPAK dhe GJKKO, për të shmangur lejen e parlamentit në rastin e kufizimit të lirisë së një deputeti, qe ajo e duhura.

Pra, nëse do i përgjigjeshe në mënyrë të vulgarizuar pyetjes së një qytetari nëse ia mbajti apo ia hoqi kjo gjykatë masën Berishës ajo do të qe: e la në arrest.

Atëhere pyetja shtrohet: po si qe e mundur që nga një vendim kaq i thjeshtë u krijua një paqartësi kaq e madhe? Këtu dalim sërish tek karakteri prej zvaranikësh i anëtarëve të kushtetueses. Tek truku i komunikimit që ata ndoqën për të shitur të zezën si të bardhë. Po të lexosh dizpozitivin e vendimit që bënë publik, të shkruar enkas me një gjuhë hermetike, aty i jepej më shumë prioritet një çështjeje anësore të procesit, si ajo e proporcionalitetit të masave ndaj liderit të opozitës, dhe jo thelbit të kërkesës së tij, që mëtonte të dinte, nëse arrestimi ishte apo jo në përputhje me kushtetutën.

Duke përdorur këtë legenllëk në komunikim ata arritën të krijojnë konfuzion, ndërkohë që në realitet, kishin marrë një vendim krejtësisht kundër Berishës. Madje për të realizuar urdhërin që po zbatonin, arritën deri në asurditete të tilla sa të rishkruajnë kushtetutën, për të interpretuar se lëvizja e lirë nuk bën pjesë në liritë e njeriut.

Nejse, pa hyrë në detaje, askush nuk priste të ndodhte ndryshe nën në një regjim ku po fiket privilegji për të vepruar dhe për tu sjellë sipas bindjeve që ke. Përveç naivëve që vetëm fizikisht jetojnë në këtë vend, të gjithë e dinin fatin që e priste Berishën. Anëtarët e kjshtetueses, që qëndrojnë në profesionalizëm dhe dinjitet shumë më poshtë paraardhësve të tyre tashmë të nxjerrë nga sitemi (që i zbrapsën me dhjetra ligje dhe PD dhe PS kur ishin në pushtet), kanë dëshmuar se janë thjeshtë masha të qeverisë. Si në çështjen Xhaçka që e shtynë në kalendat greke për të mos e zgjidhur kurrë, si në ankimin e ⅕ të deputetëve opozitarë për imunitetin e Berishës, që refuzuan ta shqyrtojnë edhe tek Butrinti apo tek pakti Rama-Meloni, ku i njollosi me turp krahasimi me vendimet e drejtësisë italiane, ata janë sjellë po njësoj.

Mandati i Berishës kthehet pas në Gjykatën Kushtetuese

Por, thënë këtë, sërish ka një paradoks që mbetet pa spjegim. Pse kur dihet botërisht se janë të tillë, sërisht reken të maskohen? Çfarë iu shërben hipokrizia e pavarësisë, kur i nënshtrohen për gjithçka qeverisë? Pse duhet të mundohen në lojra prej skuthësh, kur s’ka njeri që se di që, në fund, do mbrojnë Xhaçkën dhe do fundosin Berishën?

Përgjigjja e kësaj pyetje na kthen tek fillimi i këtij shkrimi, tek dy tipologjitë e grupimeve mbi të cilat ngrihen autokracitë. Nëse disa gjyqtarë dhe prokurorë të posatshëm i kanë vënë fytyrën dhe i kanë treguar gjoksin instalimit të këtij regjimi, këta të kushtetueses kanë përzgjedhur të mbulojnë surratin dhe të fshehin menderen, duke u hequr sikur nuk e kuptojnë dëmin që po bëjnë.

Ata luajnë shejtan budallain gjoja pa kuptuar se e keqja nuk triumfon vetëm falë kamikazëve, por edhe si pasojë e butakëve që i duartrokasin.

Ata kanë vendosur të mos kenë as minimumin e egos, asaj për ti vënë krimit emrin e tyre.

Në këtë kuptim, ata janë specija më e neveritshme që i ofroi kësaj shoqërie reforma në drejtësi, që predikoi se do forconte pavarësinë dhe dinjitetin e trupave e të reja, por polli këto qënie pa shtyllë kurizore. Falë krijesave të tilla regjimet ashpërsohen dhe prandaj Hannah Arendt i renditi ata në kategorinë specifike të banalitetit të së keqes.

Postime të lidhura