zoom

Blog

Çfarë ndodh me Berishën?/ Eduard Halimi zbërthen vendimin e Kushtetueses

Nga Eduard Halimi

Një vështrim juridik mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Sali Berishën: Proporcionaliteti dhe antikushtetutshmëria në pikëpyetje

Gjykata Kushtetuese, me një vendim të dukshëm të sforcuar, dhe shumicë po ashtu të sforcuar, siç reflektohet në çdo rresht të argumentimit të saj, arriti në këto përfundime:

Për pjesën e parë të kërkesës së SPAK/GJKKO:
Me shumicë votash, Gjykata vendosi që masa e “detyrimit për t’u paraqitur” nuk përbën shkelje kushtetuese dhe nuk kërkon miratimin e Kuvendit.
Për pjesën e dytë të kërkesës së SPAK/GJKKO:
Me vota unanime, Gjykata konstatoi se masa e “ndalimit të daljes jashtë shtetit” është antikushtetuese për shkak të joproporcionalitetit të saj.

* Implikime për politikën aktive

Vendimi në lidhje me “shumicën” e votave për pjesën e parë të çështjes pasqyron jo vetëm përbërjen aktuale të Gjykatës Kushtetuese, por edhe origjinën e emërimeve të anëtarëve të saj. Kjo lidhje është një faktor i rëndësishëm në pritshmëritë për vendime me ngarkesë të lartë politike, veçanërisht kur bëhet fjalë për një figurë kyçe të opozitës shqiptare.

Nga ana tjetër, pjesa e dytë e vendimit përmban një mesazh të qartë juridik:

Gjykata Kushtetuese, me unanimitet, e konsideron masën e “ndalimit të daljes jashtë shtetit” të Berishës tërësisht jopropocionale dhe në kundërshtim me Kushtetutën.

* Çfarë tregon ky vendim?

Në funksion të analizës, disa pika duhet të theksohen:

Kundërshtimi i Sali Berishës ndaj masave të SPAK/GJKKO:

Berisha kundërshtoi vendimin e SPAK dhe më pas të GJKKO-së, duke argumentuar se ishte antikushtetues. Por si rezultat, SPAK zëvendësoi masën e “ndalimit të daljes jashtë shtetit” me një masë më të rëndë: “arrest shtëpie”.
Gjykata Kushtetuese, me vota unanime, konstatoi se masa fillestare ishte antikushtetuese, duke dëshmuar se kundërshtimi i Berishës kishte baza të justifikuara kushtetuese!

Një analizë juridike më e gjerë:
Gjykata Kushtetuese vendosi se masa e “ndalimit të daljes jashtë shtetit” për një deputet dhe kryetar partie nuk i përmbush standardet e proporcionalitetit dhe është në kundërshtim me Kushtetutën kur ka një masë si detyrimi për paraqitje e cila është propocionale sipas shumicës së sforcuar!

Për rrjedhojë, edhe masa e arrestit shtëpiak, e cila përfshin një kufizim më të rëndë të lirisë, mund të konsiderohet e papajtueshme me Kushtetutën.
* Përfundime dhe implikime më të gjera

Pavarësisht qëndrimit të ekipit ligjor të Sali Berishës dhe vendimit për të vijuar këtë çështje në Gjykatën e Strasburgut, nga këndvështrimi juridik është e qartë se masa e arrestit shtëpiak është në kundërshtim të hapur me standardet kushtetuese.

Ky vendim ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën e interpretimit dhe zbatimit të masave kufizuese nga institucionet e drejtësisë në Shqipëri, SPAK/GJKKO duke nënvizuar nevojën për një qasje më të kujdesshme dhe të bazuar në proporcionalitet Kushtetues! Për një deputet dhe një figurë kyçe politike, liria e lëvizjes është e ndryshme nga ajo për një qytetar të thjeshtë kur bëhet fjalë për “lëvizjen e lirë” e konfirmuar nga qëndrimet e KiE në 2012!

Në një demokraci funksionale, vendime të tilla duhet të jenë shembull për forcimin e shtetit të së drejtës, jo për dobësimin e tij kur bëhet fjalë për figura kyçe politike të opozitës si Sali Berisha!

Postime të lidhura