zoom

In Zoom

Kur kapesh me presh në dorë me charterin e Erdoganit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama rezulton të ketë udhëtuar të paktën 134 herë me avionin charter me emrin “Ismail” gjatë dy viteve të fundit, veçanërisht në kulmin e pandemisë së Covid -19.

Të dhënat e sistemit TIMS, të cilat u publikuan nga hakerat iranianë, që kanë sulmuar shërbimet qeveritare online, bënë për herë të parë transparencën e munguar të udhëtimeve të kryeministrit me këtë avion, që nuk është ende e qartë se si ka përfunduar në duart e tij.

Avioni A319-115(CJ) TC-ANA, i pagëzuar me emrin Ismail i ka kaluar qeverisë shqiptare që në shkurt të vitit 2020. Më parë ai ka qenë pronë e qeverisë turke të Rexhep Taip Erdoganit.

Prej asaj kohe, Edi Rama ka udhëtuar vetëm 8 herë me avionë linje dhe 134 herë me charterin “Ismaili”. (SHIHNI UDHËTIMET NË KËTË LINK)

Shpenzimet, sipas opozitës, përllogariten të jenë 19 milionë euro.

I kapur me presh në duar për të paktën 134 fluturimet me charter në afro 800 ditë, ose 1 fluturim në çdo 6 ditë vetëm hyrje – dalje nga Rinasi, kryeministri Rama reagoi duke sulmuar këto që denoncoi shpenzimet e tij.

Ai u përpoq të japë sqarime, por nuk tha asgjë.

Ja çfarë shkroi ai.

“Sikur udhëtimet e mia të punës t’u kushtonin shqiptarëve sa llogaritë që bëjnë nongratat, spiunët dhe topat e mediave të baltës, unë do të isha thjesht njëri prej tyre, po nuk kam asgjë të përbashkët me ta që më ngatërrojnë me veten dhe me charter-at e tyre!

Avioni që unë përdor për udhëtime pune nuk është një charter komercial, po një avion për të cilin jam akuzuar edhe më parë nga të njëjtët delenxhinj dhe i kemi dhënë të plota faktet se pse dhe si konkretisht bëhet fjalë për shpenzime brenda buxhetit të gjithëhershëm të qeverisë! Sot nuk kam ndërmend të risqaroj të njëjtën akuzë, për të cilën kush dëshiron mund t’i referohet sqarimeve të mëparshme, ndërkohë që qeveria iraniane dhe opozitarianianët shqiptarë e këndojnë atë njëzëri! Çfarë neverie!”

Realisht, ai nuk ka dhënë asnjëherë sqarime se si e mori avionin nga qeveria turke e Erdogan, nuk ka treguar asnjëherë sa ka shpenzuar; Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare nuk pranon ta tregojë totalin e faturave, ai vetë nuk ka treguar asnjëherë destinacionet me të cilat ka udhëtuar në avionin luksoz.

Po sa shpenzon një avion Airbus A319-115(CJ)?

Zoom.al, që i publikoi për herë të parë udhëtimet e kryeministrit bazuar në të dhënat e planespotters.net, përllogariti rreth 15 mijë euro shpenzime për çdo orë fluturim. Kostot janë kaburanti, taksat portuale, ato doganore, personeli, stjuardesa, pilote, etj.

Vetëm karburant, ai shpenzon 2 600 litër në orë. (Shikojini duke klikuar KËTU të dhënat dhe specifikimet).

Kryeministri do të duhet të shpjegojë se kush ia paguan shpenzimet. Nëse dikush i ka falur 19 milionë euro, ai duhet ta dijë që kjo është e jashtëligjshme dhe duhet të sqarojë se çfarë i ka dhënë në këmbim.

Me daljen e të dhënave të fluturimeve me charter, kryeministri e ka për detyrim t’u shpjegojë qytetarëve shqiptarë, që ia paguajnë fluturimet me taksat e tyre, se sa para ka harxhuar, duke nxjerrë faturat.

Nëse nuk e bën, në çdo vend të botës, një kryeministër i gjendur në kushte të tilla të flagrancës do të jepte dorëheqjen.

Njëkohësisht, në çdo vend të botës, prokuroria dhe organet e tjera ligjzbatuese duhet të nisnin hetimet, sepse nëse rezulton të ketë abuzime, ky është një rast për burg.

Opozita e ka injoruar në mënyrë të pakuptimtë rastin e përdorimit të avionit “Ismail” nga Rama. Ajo ose është naïve dhe nuk e kupton se çfarë ka në dorë, ose është njësoj e blerë, siç akuzonte atë të Lulzim Bashës.

Politikisht, një rast i tillë do t’i mjaftonte për ta larguar qeverinë, të cilën ajo zotohet se do ta largojë me protesta “të fuqishme”. Fuqia në fakt duhet të kërkohet të provat e kësaj afere të dyshimtë.

Ajo duhet të kërkojë një Komision të Posaçëm Hetimor Parlamentar dhe duhet të bëjë kallëzim në SPAK.

Opozita duhet të pyesë çfarë kostosh ka, kush e paguan dhe çfarë marrin si benefite për pagesat.

Ajo duhet të pyesë se kush ka udhëtuar me këtë avion së bashku me Edi Ramën. Aty do të zbulojë një tjetër dimension të kësaj afere. /Zoom.al