zoom

Lajme

5 gënjeshtrat që tha Rama në programin e zgjedhjeve të PS-së

5 gënjeshtrat që tha Rama në programin e zgjedhjeve të PS-së

Në një fjalim prej 2 orësh, Edi Rama prezantoi programin e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 14 majit dhe listoi të gjithë aspektet ku qeveria socialiste e kishte bërë Shqipërinë më të mirë. Shumë prej tyre ishin gënjeshtra.

Paga 1.000 euro

Rama tha se paga mesatare në sektorin publik është tashmë 1 mijë euro, duke e shitur si një arritje e punës së qeverisë.
Këto shifra konfirmohen edhe nga INSTAT, por arsyet janë të tjera. Fillimisht, kundër çdo teorie ekonomike, pagat në shtet u rritën pas një vendimi të qeverisë, pra me urdhër dhe jo si pasojë e produktivitetit. P.sh qeveria mund të nxjerrë nesër një vendim që paga në administratë shkon 2.000 euro, por s’është tregues i një ekonomie të fuqishme. Nga ana tjetër, kryeministri shfrytëzon vazhdimisht lojën e kursit të këmbimit kur flet për rritje pagash. Një zhvlerësim me më shumë se 22% e euros përkthehet në një forcim po aq për lekun.

Papunësia

Për Ramën, niveli i ulët papunësisë është një tjetër tregues i punës së socialistëve gjatë këtyre viteve, por kjo nuk është rezultat i ndonjë reforme, thjesht pasojë e emigracionit. CENSI tregoi se gjatë qeverisjes Rama, nga Shqipëria kanë emigruar më shumë se 400 mijë qytetarë. Ky është korrelacion i thjeshtë linear; kur ndryshorja X (numri total i forcës punëtorë) bie, ndryshorja Y (forca punëtore jo-aktive) po ashtu zvogëlohet, duke nxjerrë një rezultat më të vogël. Nuk është ulur papunësia, thjesht nuk ka më forcë punëtore.

Borxhi publik

“Sot borxhi publik është ulur në 55%, jemi në parametrat e një shteti normal dhe serioz në administrimin e financave të veta”, tha kryeministri. Ulja e borxhit publik të Shqipërisë është vetëm pasojë e zhvlerësimit të euros, si monedha që dominon 70% të borxhit total të vendit. Në fakt, me statistika zyrtare, në vlerë nominale borxhi është rritur.

Kreditë e këqija

Kreu i qeverisë përmendi uljen stokut të kredive me probleme, sigurisht si arritje të qeverisë. Banka e Shqipërisë, organi kompetent për këtë tregues shpjegon se edhe ky është një efekt statistikor, rritje e shpejtë e emëruesit (kredisë totale) dhe rritje më e ngadaltë e numëruesit (kredisë së keqe).

Urgjenca shëndetësore

Duke pranuar nën rreshta se sistemi shëndetësor është thembra e Akilit për Shqipërinë, Rama gënjeu sërish. “…duke shkurtuar kohën e mbërritjes në jo më shumë se pesëmbëdhjetë minuta”, tha kryeministri. Në fakt, koha e reagimit të urgjencës është jo më pak se 18 minuta, sipas vetë ministrisë dhe gjetjeve të KLSH-së. Diferenca prej 3 minutash ne shërbimin shëndetësor ndan jetën dhe vdekjen. Prej vitesh, ajo është shkurtuar me vetëm 1 minutë./Zoom.al

Postime të lidhura