Aplikacion
Federica Mogherini është marrë në pyetje për rreth 10 orë, nga ora 14:00 deri në mesnatë, pas ndalimit të saj në Bruksel.
Në fund të seancës, asaj iu rikthye pasaporta. Mediat ndërkombëtare kanë publikuar edhe pjesë nga deklarata e dhënë prej saj para hetuesve.
Sipas “La Repubblica”, Mogherini ka mbrojtur veprimet e saj, duke theksuar se procesi për caktimin e Akademisë Diplomatike Europiane nën administrimin e Kolegjit të Europës, institucioni që ajo drejton, është zhvilluar në mënyrë plotësisht transparente.
Ajo ka deklaruar se nuk janë përdorur informacione të rezervuara dhe se i gjithë qëllimi ka qenë ngritja e një programi më cilësor për formimin e diplomatëve të BE-së.
“Procedura u zhvillua me transparencën më të madhe. Nuk pati privilegje ose nuk u shfrytëzua asnjë informacion i klasifikuar. Objektivi i vetëm ishte krijimi i një klase më të mirë diplomatike për Bashkimin Evropian”, mësohet të ketë dëshmuar mes të tjerash Mogherini.
Prokuroria Publike Evropiane po heton Mogherinin për mënyrën se si Kolegji i Europës ka menaxhuar procedura të caktuara, mes tyre edhe blerjen e një ndërtese në Spanjaardstraat, e konsideruar e rëndësishme për akomodimin e studentëve të Akademisë. Ajo u arrestua të martën, iu hoq imuniteti diplomatik dhe u pyet gjatë, por u la e lirë për shkak se autoritetet vlerësuan se nuk ka rrezik për t’u larguar./ Zoom.al