Aplikacion
Ish-shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini, ka paraqitur dorëheqjen nga pozicioni i rektores së Kolegjit të Europës.
Vendimin ajo e ka komunikuar përmes një email-i drejtuar stafit dhe studentëve të institucionit në Bryzh.
“Duke respektuar maksimalisht rregullat dhe integritetin me të cilin kam ushtruar detyrën time, kam vendosur të dorëhiqem nga posti i rektorit të Kolegjit të Europës dhe drejtueses së Akademisë Diplomatike të BE-së”, shkruan Mogherini në njoftim.
Dorëheqja e saj vjen dy ditë pasi ajo dhe dy persona të tjerë u ndaluan nga autoritetet belge, si pjesë e një hetimi për mashtrim lidhur me Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm dhe Kolegjin e Europës.
Pas marrjes në pyetje, të tre u lajmëruan zyrtarisht për akuzat që përfshijnë mashtrim, korrupsion në prokurime, konflikt interesi, shkelje të sekretit profesional dhe konkurrencë të pandershme. Më pas, gjykata urdhëroi hetimin e tyre në gjendje të lirë, pasi nuk ka rrezik për arratisje dhe për prishje të provave.
Autoritetet belge po hetojnë Akademinë Europiane të Diplomacisë së BE-së, një program për diplomatë të rinj nga vendet e BE-së, që funksionon në Kolegjin e Europës. Mogherini ishte drejtuese e institucionit që nga gushti i vitit 2022.
Sipas Prokurorisë Europiane, ekzistojnë “dyshime të forta” për shkelje të rregullave të konkurrencës kur EEAS i dha tenderin Kolegjit të Europës për krijimin e akademisë diplomatike. Hetimi fokusohet nëse Kolegji i Europës ishte njoftuar për kriteret e procesit të përzgjedhjes para publikimit zyrtar./ Zoom.al