Aplikacion
Pas atentatit të djeshëm në Elbasan, ku u vra biznesmeni 43-vjeçar Edmond Hyka, i njohur si Mondi Mehalla, policia ka identifikuar një tjetër automjet që dyshohet se është përdorur nga autorët e ngjarjes.i
Përveç “Audi”-t të djegur që u gjet në fshatin Mirakë, mjeti i dytë u lokalizua në qytetin e Durrësit dhe u sekuestrua për hetime të mëtejshme. Autoritetet dyshojnë se ky automjet mund të jetë përdorur gjatë përgatitjes së atentatit ose menjëherë pas ekzekutimit.
Ngjarja ndodhi rreth orës 20:35 të së dielës, kur Mehalla u gjet i vrarë brenda “Range Rover-it” të tij, i parkuar pranë biznesit të tij në Unazën Jugore të Elbasanit. Sipas ekspertëve, ai mori tre plumba, dy në kokë, duke treguar për një ekzekutim të planifikuar me kujdes.
Policia ka ngritur pika kontrolli në të gjitha daljet e qytetit dhe po vijon kontrollet në terren, në banesa dhe rrugë dytësore. Të paktën 15 persona janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje dhe për të ndihmuar hetimet. Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, po shqyrton gjithashtu pamjet filmike dhe çdo provë materiale që mund të ndihmojë në identifikimin e autorëve.
Mehalla kishte precedentë penal në fushën e narkotikëve dhe mbajtjes së armëve pa leje./ Zoom.al