Aplikacion
Shkruar nga redaksia e Zoom.al
Nga të gjitha të papriturat e zgjedhjeve të 11 majit, një gjë nuk mund t’i kishte shkuar nëpërmend askujt përpara rezultateve: që votat do të prodhonin një “yll” në qiellin politik të Rilindjes. Jo një yll të zakonshëm që ngrihet ngadalë me karrierë, me debat, me kontribut, me rezistencë. Por një yll që shndriti befas, me një dritë aq të fuqishme, saqë u duk si t’u kishte rënë syve të 18,666 qytetarëve të Elbasanit duke u sjellë një frymëzim të përbashkët. Një flakë e beftë, një dritë që ndriçoi nëpër listat e PS-së, duke u shndërruar në “trending” politik, një kampione absolute e Partisë Socialiste.
Për çudi, e panjohur dhe pa eksperiencë në politikë, Mila theu çdo rregull duke bindur me verbëri gati 19 mijë elbasanllinj se do të bëjë për qytetin diçka që të tjerët nuk e bëjnë dot.
Gazetari dhe analisti i njohur, Andi Bushati e mori atë mbrëmë si shembull për të treguar anomalitë e këtyre zgjedhjeve. Përveç epitetit, (që për mendimin e redaksisë sonë është i tepërt), krahasimi që Bushati bëri mes saj dhe votave të Jorida Tabakut besojmë se qëndron tërësisht.
Por Bushati vazhdon të mendojë se politika është një rrugë, jo një ashensor. Mendon se fushata është kontakt me qytetarët, jo me listën e “çunave të lagjes”. Mendon se gratë në politikë duhet të ecin vetë, jo të shtyhen nga një dorë e padukshme, si ajo e një superkrimineli të kërkuar nga drejtësia Suel Çela, siç e akuzon Sali Berisha i PD-së, që për Andin është realitet, por për PS-në është thashethem. Është vajza e sistemit, i atij sistemi të ngritur nga kryeministri i madh Edi Rama, që nuk pyet shumë se nga vjen një vajzë apo një djalë, mjafton t’i sjellin vota e pushtet.
Sara Mila, megjithatë, nuk është më “vajza që u fut në listë”. Pas 11 majit ajo është “Deputetja” me “D” të madhe. Është “zëri i vajzave socialiste”, “simboli i rezistencës rilindase”. Sara nuk është më një individ, ajo është një simbol, është sistem. Dhe sistemi do që të sjellësh vota, s’ka rëndësi nga i merr e si i merr.
Ajo është precedenti i vajzave që duan të hyjnë në politikë pa pyetur se nga kush vijnë votat, se kush i detyron njerëzit të venë shenjën tek emri i saj, mjafton që votat të vijnë me shumicë.
Sara Mila tani është thesi më i madh me vota i PS-së. Dhe Bushati mund ta kishte quajtur pikërisht kështu. Ajo është thesi që e bëri krenare Partinë Socialiste. Ajo është njëfarë projeksioni “Belinda Balluku” e së ardhmes!
Kështu duhet ta shohim sot e tutje, që të mos i vëmë thjesht epitete, por t’i shqyejmë më shumë sytë për të parë realitetin që e ka prodhuar atë.
Sepse Sara Mila nuk është më një emër në listë, por një precedent në politikë. Është metafora e sistemit. Një model që funksionoi në përfeksion. Ne tani duhet ta vëzhgojmë jo vetëm si u prodhua, por edhe çfarë interesash do të mbrojë me zërin e saj të fortë në parlament. Me siguri që do ta ngrejë kartonin vetëm për të mbrojtur ata që e bënë deputete. /Zoom.al