zoom

Lajme

Zyrtare! Kush është trajneri i ri i Tiranës

Zyrtare! Kush është trajneri i ri i Tiranës

Klubi i Futbollit Tirana ka emëruar sot zyrtarisht trajnerin e ri të ekipit të parë për sezonin e ardhshëm në Kategorinë Superiore.

Bardheblutë do të drejtohen nga Vangjel Mile, i cili ka firmosur një kontratë 3-vjeçare me klubin.

Ky është emërimi i parë i Miles si trajner i një ekipi të të rriturve, pasi deri më tani ai ka qenë pjesë e strukturave të Akademisë së Tiranës, ku ka drejtuar ekipet U-17 dhe U-19.

Ai ka shërbyer gjithashtu si Drejtor Teknik i akademisë, duke kontribuuar në zhvillimin e talenteve të rinj dhe në ndërtimin e një filozofie moderne loje.

Në njoftimin zyrtar të publikuar nga klubi në rrjetet sociale, KF Tirana thekson se Mile gëzon njohje të plotë të strukturës dhe identitetit të klubit, çka konsiderohet si një avantazh i madh në ndërtimin e një projekti të qëndrueshëm sportiv.

“E ndjej veten pjesë të kësaj shtëpie dhe e marr këtë përgjegjësi me përulësi, por edhe me shumë besim. Njoh vlerat dhe pritshmëritë e këtij klubi dhe jam i përkushtuar të punoj çdo ditë për të çuar përpara emrin dhe objektivat e KF Tiranës”, u shpreh trajneri i ri gjatë prezantimit të tij.

Njoftimi i Tiranës:

Klubi i Futbollit Tirana njofton emërimin e Vangjel Mile si trajner i parë i skuadrës për tre sezone. Mile vjen në këtë detyrë pas një periudhe të suksesshme si Drejtor Teknik i Akademisë së Futbollit Tirana, ku ka luajtur një rol kyç në zhvillimin e talenteve të rinj dhe ndërtimin e një filozofie të qëndrueshme loje.

Njohja e thellë me strukturat e klubit, filozofinë bardheblu dhe modelin e funksionimit të Akademisë i japin trajnerit Mile avantazhin për të ndërtuar një urë të natyrshme mes të rinjve dhe ekipit të parë. Objektivi i tij do të jetë jo vetëm rikthimi i skuadrës në krye të futbollit shqiptar, por edhe integrimi i elementëve të rinj me potencial, në përputhje me identitetin historik të KF Tiranës.

Mile është i njohur për qasjen e tij moderne ndaj stërvitjes, disiplinën taktike dhe aftësinë për të ndërtuar grupe të balancuara me frymë kolektive të fortë. Eksperienca e tij si strateg dhe drejtues teknik e bën zgjedhjen ideale për një projekt të qëndrueshëm dhe ambicioz.

“E ndjej veten pjesë të kësaj shtëpie dhe e marr këtë përgjegjësi me përulësi, por edhe me shumë besim. Njoh vlerat dhe pritshmëritë e këtij klubi dhe jam i përkushtuar të punoj çdo ditë për të çuar përpara emrin dhe objektivat e KF Tiranës,” – deklaroi trajneri i ri gjatë prezantimit.

Klubi i Futbollit Tirana i uron suksese trajnerit Vangjel Mile në këtë sfidë të re dhe është i bindur se rrugëtimi i përbashkët do të sjellë rezultatet që meriton familja bardheblu./ Zoom.al

Postime të lidhura