zoom

Lajme

Zyrtare/ FSHF rinovon me Sylvinhon: Objektiv, Botërori 2026

Zyrtare/ FSHF rinovon me Sylvinhon: Objektiv, Botërori 2026

Sylvinho do të vijojë të udhëheqë Kombëtaren Shqiptare të paktën edhe për 6 muaj.

Federata Shqiptare e Futbollit ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës me trajnerin Sylvinho, si dhe me dy ndihmëstrajnerët e tij, Pablo Zabaleta dhe Dorival Guidoni Junior.

Marrëveshja e re do të jetë në fuqi deri në korrik të vitit 2026 dhe ka si objektiv kryesor kualifikimin e Shqipërisë për herë të parë në fazën finale të Kupës së Botës.

Nën drejtimin e Sylvinhos, Kombëtarja arriti një moment historik me sigurimin e pjesëmarrjes në fazën “play-off” të Botërorit 2026.

Në muajin mars, kuqezinjtë do të përballen me një sfidë vendimtare, teksa do të luajnë gjysmëfinalen e play-off-it kundër Polonisë më 26 mars. Në rast kualifikimi, Shqipëria do të ndeshet në finalen përcaktuese me fituesin e çiftit Ukrainë–Suedi.

FSHF thekson se rinovimi i kontratës pasqyron besimin maksimal në filozofinë e punës së stafit teknik, si dhe angazhimin për stabilitet, vazhdimësi dhe objektiva të larta. Synimi mbetet forcimi i mëtejshëm i Kombëtares dhe përfaqësimi sa më dinjitoz i futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare.

Federata garanton mbështetje të plotë për ekipin dhe stafin teknik në këtë rrugëtim historik, me shpresën për ta kthyer ëndrrën e Botërorit në realitet për të gjithë tifozët shqiptarë./ Zoom.al

Postime të lidhura