Aplikacion
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, beson se “Kuq e Zinjtë” kanë mundësi reale për të siguruar kualifikimin në Kampionatin Botëror 2026, duke theksuar se skuadra është mësuar tashmë me ndeshje dhe shorte të vështira.
Në një intervistë për podcastin e “ESPN Brasil”, tekniku brazilian foli për planet e ekipit dhe shansin historik për pjesëmarrje në Kupën e Botës, duke e cilësuar këtë periudhë si vendimtare për kombëtaren dhe për vendin.
“Ky është një moment shumë i rëndësishëm për ekipin dhe për gjithë vendin. Që nga Kampionati Evropian kemi pasur shorte të forta, por sfidat janë pjesë e rrugës që duhet të ndjekim për të arritur objektivat tona”, u shpreh Sylvinho.
Ai bëri të ditur se stafi teknik do të ndjekë nga afër lojtarët në muajt në vijim. “Që nga janari do t’i monitorojmë lojtarët tanë më nga afër dhe do të jemi të pranishëm në disa ndeshje për të ndjekur performancat e tyre”, tha trajneri i kuqezinjve.
Shqipëria do të përballet me Poloninë në gjysmëfinalen e ‘play-off’-it më 26 mars në Varshavë, një sfidë kyçe drejt ëndrrës së Kupës së Botës. Në rast fitoreje, kuqezinjtë do të luajnë finalen vendimtare më 31 mars ndaj fituesit të përballjes Ukrainë–Suedi.
Duke folur për ndeshjen me Poloninë, Sylvinho theksoi se gjithçka mund të vendoset nga detajet. “E njohim mirë Poloninë, kemi luajtur kundër tyre kohët e fundit. Ata kanë ndryshuar trajner, por lojtarët mbeten të njëjtë dhe janë të një cilësie të lartë. Ata janë në një fazë rindërtimi, ndërsa ne po kalojmë një periudhë zhvillimi. Nuk ka avantazh të qartë, gjithçka mund të ndryshojë brenda 90 minutave”, deklaroi ai.
Në fund, trajneri brazilian vuri theksin te përgatitja e ekipit: “Lojtarët tanë janë mësuar me sfida të vështira. Do të mbështetemi te cilësitë tona dhe te puna që kemi bërë deri tani.”
Kujtojmë se përballja mes Polonisë dhe Shqipërisë do të zhvillohet më 26 mars 2026./Zoom.al