Aplikacion
Rasti i zhdukjes së Bleona Matës vazhdon të mbetet i hapur dhe i mbushur me pikëpyetje, ndërsa së fundmi janë bërë publike dëshmi që kanë orientuar hetimet drejt një piste tjetër.
Informacionet u trajtuan në emisionin “Pa Gjurmë”, ku u sollën deklarime dhe materiale që lidhen me dyshime për rrëmbim dhe mbajtje të mundshme të vajzës për një periudhë kohe në zonën e Vlorës.
“Kam informacion për Bleona Matën. Vajzën e kanë sjellë njerëz të afërt të familjes… e kanë sjellë në Llakatund dhe nga Llakatundi për tre muaj e kanë mbajtur në fshatin Picar të Vlorës. E kam parë Bleonën me sytë e mi, e kemi parë dhe në televizor. Unë dyshoj se nga frika ata e dërguan në Greqi, pasi ajo familje kishte jetuar edhe më parë në atë shtet”, deklaroi pak ditë më parë një dëshmitar.
E ëma e Bleonës, Bukurie Veizi, ishte e pranishme në studio, ku u njoh me të dhëna të reja lidhur me një familje nga zona e Llakatundit, e përmendur në këtë pistë. Ajo tregoi se në të shkuarën ka ekzistuar një konflikt mes familjes së saj dhe personave që sot përmenden në dëshmi.
“Çiftin nga Vlora nuk e njoh. Vetëm prindërit e vajzës i kam takuar në Zapot, ditën kur u zhduk Bleona. Ish-vjehrri im ka pasur konflikt me këtë familje dhe në maj të vitit 2010 i ka denoncuar në polici”, u shpreh Bukurie Veizi.
Gjatë transmetimit u shfaq edhe një fotografi e një vajze, për të cilën u hodh dyshimi nëse mund të kishte lidhje me rastin. Nëna e Bleonës u shpreh se nuk vuri re përputhje të plotë në tipare, por theksoi se dyshimet e saj ndaj së njëjtës familje nuk janë shuar.
Në emision u transmetuan edhe deklarimet e një çifti, të cilët janë përfolur prej vitesh në këtë histori. Ata mohuan çdo përfshirje dhe sqaruan se fëmija për të cilin është folur në zonë ka qenë një e afërme e tyre, e mbajtur përkohësisht në familje për arsye emigracioni.
Gazetarja e emisionit theksoi se informacionet e mbledhura janë dëshmi që kërkojnë verifikim nga autoritetet dhe nuk përbëjnë akuza. Pas këtyre sqarimeve, kjo pistë duket se ka humbur forcë, megjithatë nëna e Bleonës kërkoi që hetimet të vazhdojnë dhe çdo detaj të kontrollohet zyrtarisht.
Odeta Dume: Për të qenë e sinqertë, pas atij informacioni më kanë mbërritur shumë telefonata dhe e-mail-e nga zona e Picarit. Të gjithë flasin për një histori të tillë, për një fëmijë që ka ardhur në atë fshat. Por unë nuk jam askushi të ngre gishtin ndaj teje apo të të akuzoj. Këtë e bën policia, e verifikon policia. Unë nuk akuzoj askënd.
E akuzuara: Fare. Të më çosh ku të duash, këto që të them sot, t’i them edhe nesër. Vajza që ka qenë në Picar ka qenë vajza e kunatës. Ajo ishte e martuar në Kosovë dhe më pas iku në Greqi. Ka ikur nga mali, si shumë njerëz atëherë, dhe nuk mund ta merrte vajzën me vete. Nuk jemi trafikantë.
Odeta Dume: Pra, për vajzën që qante dhe për të cilën flet fshati, bëhet fjalë për mbesën e vjehrrës tënde që ajo e ka mbajtur?
E akuzuara: Po./ Zoom.al