zoom

Aktualitet

Zhduket 14-vjeçarja në Durrës, çfarë mesazhi la për prindërit

Zhduket 14-vjeçarja në Durrës, çfarë mesazhi la për prindërit

Një vajzë 14-vjeçare është zhdukur pa lënë gjurmë që në orët e para të mëngjesit në Durrës.

E mitura, nxënëse në shkollën “Qemal Mici”, dyshohet se është larguar nga banesa rreth orës 06:40. Sipas nënës së saj, vajza kishte qenë në shtëpi deri rreth orës 05:00, kur ishte zgjuar për syfyr, por më pas familjarët e kanë humbur kontaktin me të.

Kur nëna është zgjuar pak më vonë, ajo ka konstatuar se vajza nuk ndodhej më në dhomë. Në banesë është gjetur edhe një shënim i lënë prej saj, ku shkruhej: “Po largohem, mos më kërkoni.”

Sipas familjarëve, ditët e fundit e mitura kishte shprehur frikë dhe shqetësime, duke pretenduar se ndihej e kërcënuar nga disa persona pas përfundimit të mësimit, por këto deklarata nuk ishin marrë seriozisht.

Vajza nuk është paraqitur në shkollë gjatë ditës së sotme, ndërsa familja ka bërë kallëzim në polici dhe kërkimet kanë nisur menjëherë.

Prindërit kanë bërë apel për ndihmë, duke kërkuar që kushdo që mund të ketë informacion për vendndodhjen e saj të kontaktojë autoritetet ose familjen./ Zoom.al

Postime të lidhura